Rajoni

Përafrimi i politikës së jashtme, në qendër të samitit BE-Ballkani Perëndimor!

Sot në Bruksel, udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian do t’iu bëjnë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione kundër Rusisë e të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që BE-ja i ka vendosur Moskës, pas nisjes së luftës në Ukrainë. Në draftin e deklaratës që do të miratohet në fund të samitit, thuhet:

Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Derisa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë e të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së e të veprojmë në përputhje me rrethanat.

Liderët e vendeve anëtare të BE-së, sot do të takohen me kolegët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, në samitin e radhës BE-Ballkani Perëndimor. Deklarata miratohet nga drejtuesit e shteteve dhe qeverive të Unionit e teksti i saj u harmonizua me liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit.

Përafrimi me deklaratën nuk është i detyrueshëm për vendet e rajonit, por ka pritshmëri ndaj tyre, sipas zyrtarëve të lartë të BE-së që punuan për organizimin e takimit.

Megjithatë, mospërputhja me deklaratën dërgon sinjal negativ për ne, sepse tregon orientimin gjeostrategjik të këtyre vendeve dhe nëse ato ndajnë vlerat tona të përbashkëta.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë. Vazhdimisht, BE-ja i bën thirrje Beogradit zyrtar që të harmonizojë politikën e tij të jashtme me të Unionit.

Konfirmimi i perspektivës së BE-së për rajonin

Këshilli Europian tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të riafirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Union, si dhe nevojën për kryerje të reformave, të cilat bazohen në vlerat e parimet e BE-së.

Në mesin e temave në rend të ditës janë thellimi i angazhimit politik në Ballkanin Perëndimor, afrimi i partnerëve nga rajoni dhe nxitja e integrimit gradual, ndërtimi i një baze ekonomike për të ardhmen, si dhe zbutja e ndikimit të luftës së Moskës ndaj Ukrainës, e nisur në shkurt të vitit 2022.

Për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Në deklaratën përfundimtare, një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim, liderët do t’i bëjnë thirrje Prishtinës e Beogradit që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, si dhe të punojnë në uljen e tensioneve.

Të gjitha vendet e rajonit do të ftohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare për mosmarrëveshjet e çështjet dypalëshe, të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës.

Takimet BE-Ballkani Perëndimor kanë qenë periodike në dy dekadat e fundit. Të tilla takime organizohen prej vitit 2010, me iniciativën e Kroacisë, kur kryesonte Bashkimin Europian. Rregullisht, blloku fton përfaqësues të këtyre vendeve në takime të ndryshme në nivel ministror.