Aktualitet

Përfundon mbrojtja për inceneratorin e Fierit, më 25 shtator vendimi!

Sot përfundoi mbrojtja për inceneratorin e Fierit, ndërsa vendimi do të jepet më 25 shtator ora 10:00. Nën akuzë për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh janë 21 të akuzuar.  Në seancën e 6 shtatorit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka kërkoi pafajësi për të tre akuzat dhe heqje konfiskimi. Ai pretendoi se po akuzohet pa fakte penale e pa prova.

Nuk e kisha menduar që do të dilja para gjykatës. Akuza shkoi në dy dosje penale të ndara dhe përmes fraksioneve sheh faktet. Dal para jush për tre akuza me dy pretenca, me nga 10 vjet. Unë e mora detyrën më 2010-ën dhe riciklimi ishte emergjent.  Dua të them se kjo akuzë e ngritur në formën e tallavasë është absurde.

Pagesat dhe ndërtimi inceneratorit kanë filluar më 2018-ën dhe unë jam larguar si ministër më 2017-ën. Shpronësimi i tokës është njohur i ligjshëm me Vendim të Formës së Prerë të Gjykatës Administrative.  Statusi i është ndryshuar nga Këshilli Bashkiak Fier para se vendimi të vinte në Këshillin e Ministrave.

Gjykohem dy herë për të njëjtën gjë. Akuza është thjesht kopje e procesit analog të Elbasanit. Relacioni i administratorit të caktuar nga gjykata provon pafajësinë time. Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova, kriter themelor i procesit penal.

Kjo çështje kërkon drejtësi. Drejtësia është vetëm një, jo e ndikuar në interesa, jo e ndikuar nga akuza, jo e ndikuar nga opinioni. Përndryshe, unë do të jem viktima e radhës e kjo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo. Kjo strukturë nuk është kala ku ju të bërë bashkë duhet ta mbroni, por është kala e çdo shqiptari për të marrë drejtësi.

Nuk do të rresht së kërkuari deri në frymën e fundit, jo vetëm në këtë gjykatë që të provoj pafajësinë time. Me prova e fakte, të provoj fajësinë e atyre që më hoqën lirinë në mënyrë brutale duke më arrestuar e më pas duke sajuar prova të turpshme. Meqënese nuk u provua asnjë shumë e përfituar, asnjë llogari bankare, asnjë aset i shtuar që nga viti 2010, prokurorët menduan të më akuzojnë për pastrim dhe të sekuestrojnë prona të përftuara që në vitin 2000.

Që nga viti 2003 kur mora edhe detyrën e kryetarit të Bashkisë Durrës, kam qenë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe pronat që disponoj janë fryt i punës time të ndershme dhe jo i ryshfeteve, as i trafiqeve, as i prostitucionit e as i të qenit aksioner anonim në shoqëri ndërtimi.

Do të ngushëllohesha në izolim nëse kallëzimin do ta kishte bërë çdo  shqiptar, por të bëhet nga ai çift famëkeq është e trishtë. Të besosh te ata është si të investosh tek Sudja e Rrapushi në ditët e fundit të falimentit.

Më herët, mbrojtjen e bëri edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i cili u vetëdeklarua “i pafajshëm”.