Aktualitet

Përfundon numërimi në 6 bashki/Krahas Elbasanit, Kamzës e Vorës, PS merr dhe Selenicën, Pustecin e Delvinën!

Një ditë nga zgjedhjet vendore, vijon numërimi i votave në 55 bashki. Në 47 prej tyre kryesojnë kandidatët e Partisë Socialiste dhe në vetëm 8, të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Sali Berishës e Ilir Metës. Ndërkaq, ka përfunduar numërimi për gjashtë bashki, që të gjashta të fituara nga kandidatët socialistë.

Eshtë fjala për Selenicën, Pustecin e Delvinën, krahas Elbasanit, Kamzës e Vorës ku falë votimit e numërimit elektronik, me shpejtësi u mësua rezultati.

Në Elbasan, kandidati Gledian Llatja, drejtuesi aktual i bashkisë, u rikonfirmua me 55% ose me një diferencë me mbi 4 mijë e 500 vota ndaj kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi, ish-deputet i kësaj zone.

Socialistët morën 48% të votave dhe për Këshillin Bashkiak, ku falë aleatëve të tyre e kalojnë me lehtësi 50% e nevojshëm për të siguruar kontrollin e shumicës.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ku është përfshirë pjesa e demokratëve që udhëhiqet nga ish-kryeministri Sali Berisha, së bashku me Partinë e Lirisë mori 23.89 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, 12.93%.

Fitore të thellë, socialistët regjistruan dhe në Vorë e Kamzës, ku veçanërisht kjo e fundit, tradicionalisht ka qenë bastion i së djathtës. Në Kamëz, kandidati socialist Rakip Suli grumbulloi 60.65% të votave ose 10 mijë më shumë se kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha, i cili nuk shkoi më shumë se 35%. Në këtë bashki, e djathta përfaqësohej dhe nga një kandidat i Partisë Demokratike, Bilbil Bajraktari, 4.24%.

Akoma më e thellë fitorja e kandidatit socialist Blerim Shera në Vorë. Shera doli me 74.28% të votave ose 8 mijë e 125 kundrejt 2 mijë e 813 votave të kandidatit të Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.