Aktualitet

Zgjedhjet në Rrogozhinë, kandidati socialist Memolla kryeson me mbi 750 vota!

Në Rrogozhinë vijon numërimi i votave, një ditë pas zgjedhjeve për kreun e bashkisë, të përsëritura për shkak të shpalljes së pavlefshëm të rezultatit të 14 Majit. Deri tani janë numëruar 38 nga 54 kuti e kryeson Edison Memolla i Partisë Socialiste. Gara zhvillohet mes tij e rivalit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

Edison Memolla ka mbi 4 mijë e 62 vota, ndërsa Shkëlqim Hoxha më shumë se 3 mijë e 306. Kur mbeten dhe 16 kuti për t’u numëruar, Memolla kryeson me më tepër se 750 vota.  Asnjë kuti nuk rezultoi e parregullt ndërsa procesi kaloi i qetë.  Vetë kandidatët po e ndjekin nga afër numërimin në palestrën e një shkolle.

Pak para mesnatës, me një postim në rrjetet sociale, Erion Veliaj si drejtuesi politik i PS-së për Qarkun Tiranë shkroi për “pengimin të numërimit të votave në Rrogozhinë nga përfaqësuesit e çiftit Berisha-Meta”.

Në zgjedhjet e djeshme, pjesëmarrja u vlerësua më e lartë se në të muajit maj. Deri në orën 18:00, kjo pjesëmarrje ka qenë 35.5%, më e lartë se në votimet e 14 Majit kur rezultoi 32.12%, për të njëjtën orë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ripërsëritjen e votimeve pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm. Shkak u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve vetëm 21 vota, ndërsa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Lokalet e 14 Majit u fituan nga Edison Memolla.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi të respektohej heshtja zgjedhore e solemniteti i ditës së votimit.  Kandidatëve dhe përfaqësuesve politikë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili dje ishte në Rrogozhinë, iu bëri thirrje të shmangin deklarimet me përmbajtje zgjedhore. E ndërsa pati një incident lidhur me fotografimin e votës, Celibashi kujtoi se përbën shkelje penale.

Në një qendër në Rrogozhinë u ndërpre për 30 minuta procesi i votimit. Shkak u bë fotografimi i votave nga një grua dhe bashkëshorti i saj. Që të dy u evidentuan nga komisionerët, si dhe u mbajt proces-verbal lidhur me rastin. Po ashtu pati debate mes vëzhguesve.