Bota

Presidenti i KE-së: Ukraina mund të jetë anëtare e BE-së në vitin 2030!

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, beson se Ukraina mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 . “Ukraina mund të jetë anëtare e BE-së në vitin 2030 nëse të dyja palët bëjnë pjesën e tyre”, tha Charles Michel në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel.

Ai theksoi se BE-ja duhet të “përshpejtojë procesin e vendimmarrjes“, duke shtuar se pranimi i shpejtë i Ukrainës “do të dëshmojë gjithashtu se Bashkimi Evropian është i aftë për ndërhyrje gjeopolitike“.

Ai sqaroi megjithatë se nuk do të ketë lehtësim të kritereve të anëtarësimit në BE për Ukrainën apo vendet e tjera kandidate. Përveç Turqisë, kandidatë për anëtarësim janë edhe gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. “Ukraina dhe vendet e tjera kandidate (për anëtarësim në BE) duhet të zbatojnë reforma, të luftojnë korrupsionin dhe të përmbushin kërkesat ligjore“.

Perspektiva e zgjerimit është një nga temat që do të shqetësojë liderët e Komunitetit Politik Evropian gjatë takimit të mbajtur nesër në Granada të Spanjës.