Auto & Moto

Prezantohet makina më e shpejtë dhe më e fuqishme në historinë e Porsche Taycan!

Turbo GT është Taycan-i më i fuqishëm që kompania Porsche ka bërë ndonjëherë dhe nëse llogaritet “overboost” prej disa sekondave, është gjithashtu Porsche më i fuqishëm serik që është prodhuar ndonjëherë. Versioni standard prodhon 789 kuaj-fuqi dhe pasi aktivizohet “launch control” fuqia rritet në 1.033 kuaj-fuqi ndërsa ajo maksimale është 1.108.

Siç është bërë e ditur nga Porsche, Taycan Turbo GT i ri përshpejton nga 0-100 kilometra në orë për 2.3 sekonda, apo 2.2 sekonda me opsionin Weissach. Shpejtësia prej 0-200 km/h arritet për 6.4 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale është 306 kilometra në orë. Por kjo nuk është e gjitha. Në kulm të ofertës është “attack mode” që liron 163 kuaj-shtesë në një afat kohor prej 10 sekondash, një funksion i inspiruar nga Formula E. Çmimi startues i Porsche Taycan Turbo GT në Gjermani do jetë 240 mijë euro.

Rikujtojmë, se Porsche në vitin 2023 ka festuar 75 vjetorin e saj me konceptin e makinës Mission X. Koncepti ofroi një paraqitje të shkurtër të së ardhmes elektrike, por që atëherë nuk ka pasur shumë lajme nga marka gjermane për modelin e ri. Megjithatë, kohët e fundit, CEO i Porsche, Oliver Blume, tha se këtë vit do të vendoset fati i prodhimit të kësaj makine.

“Është një motiv i madh për ne që të bëjmë makinën”,-tha Blume, duke pasur parasysh popullaritetin që fitoi vetëm koncepti i Mission X. Ky model përfshin një paketë baterie të montuar pas sediljeve. Bateria e tij mund të karikohet dy herë më shpejtë se e modelit Taycan Turbo S.