Auto & Moto

Prodhuesi amerikan i automjeteve ultra-luksoze prezanton konceptin e modelit të ri!

Viti 2024 shënon 10 vjetorin e Karma Automative si prodhuesi i vetëm i automjeteve ultra-luksoze në SHBA. Marka ka prezantuar konceptin e modelit më të ri i cili pritet të jetë një model plotësisht elektrik i emëruar si Gyesera. Karma Gyesera trupi i së cilës përfshin kombinime alumini dhe nga fibra e karbonit, synon të ofrojë 590 kuaj fuqi me një shpejtësi maksimale prej mbi 217 km/h.

Specifikimet e këtij modeli zbulojnë edhe një peshë prej 2,404 kilogramësh, por shifrat mund të ndryshojnë derisa të fillojë prodhimi i tij. Gjithashtu, Gyesera do të përmbajë një paketë baterie 120 kWh. Marka amerikane synon të fillojë prodhimin e modelit të ri para fundit të vitit 2024 dhe nuk përjashton shpërndarjen e tij në tregje në fillim të vitit 2025.

Prodhimi i modelit elektrik do të jetë i kufizuar në vetëm 2,000 njësi të cilat pritet të përfundohen gjatë një periudhe prej katër ose pesë vjetësh, ndërsa çmimi fillestar i tij thuhet të jetë midis 175 mijë dhe 225 mijë dollarëve. Kjo do ta bëjë atë më të shtrenjtë se një Tesla Model S, një Porsche Taycan, një Mercedes EQS dhe një Audi E-Tron GT.