Aktualitet

Publikohen protokollet anti-COVID për ditën e zgjedhjeve, maska e detyrueshme!

Instituti i Shëndetit Publik bëri sot me dije protokollet anti-COVID që duhet të zbatohen gjatë ditës së zgjedhjeve parlamentare më 25 prill.

Rregullat janë të detyrueshme për anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit, por edhe për votuesit.

Maska do të jetë e detyrueshme, ashtu sikurse është edhe në përditshmëri, e ndërsa në ndryshim nga vitet e kaluara, në çdo QV do të jetë 1 person i cili ka për detyrë që të vëzhgojë respektimin e masave anti-COVID.

Në çdo qendër votimi, nuk do të lejohet prania e më shumë votuesve sesa numri i dhomave të fshehta për votim, plus 2 persona që po regjistrohen. Dhomat e fshehta duhet të ruajnë një distancë prej 1.5 metra nga njëra-tjetra, e ndërsa po kaq duhet të qëndrojnë larg edhe anëtarët e KQV-së dhe vëzhguesit.

Sallat ku do të jenë qendrat e votimit, rekomandohen që të jenë në katin e parë me një sipërfaqe të konsiderueshme për qarkullimin e ajrit dhe do duhet që të jenë të pajisura me hyrje dhe dalje të veçanta me qëllim që të shmangen grumbullimet e qytetarëve, si edhe në hyrje të saj do të ketë dezifektantë për duar si edhe materiale për orientimin e votuesve lidhur me masat anti-COVID.

Dezinfektimi i ambienteve do të bëhet një ditë para nisjes së procesit të votimit.