Aktualitet

Ulet në 5 ditë karantina e doza e tretë e vaksinës anti-COVID bëhet pas 5 muajsh në Shqipëri!

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga COVID-19 në 5 ditë dhe ka rekomanduar që doza e tretë përforcuese e vaksinës të kryhet 5 muaj pas dozës së dytë. Kjo u bë e ditur sot nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Sa i takon masave anti-COVID, ministrja Manastirliu thekson se situata po ndiqet ne dinamikë dhe masat do të rivlerësohen në vijim.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, për vlerësimin e situatës epidemiologjike, vlerësimin e ecurisë së programit të vaksinimit dhe masave anti-COVID. Ekspertët e Komitetit Teknik rekomanduan për vlerësim nga Komiteti i Vaksinimit, reduktimin e periudhës së vaksinimit me dozën e tretë përforcuese, nga 6 muaj që është aktualisht, në 5 muaj pas dozës së dytë.

Ministrja u shpreh se “Komiteti vendosi të reduktojë kohën e izolimit për të prekurit nga COVID-19 në 5 ditë, sipas Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik”.

Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit me dozën përforcuese, rritjen e mbulesës vaksinale për popullatën si dhe duke vlerësuar në dinamikë përhapjen e rasteve të reja ditore dhe situatën në spitale, ekspertët e Komitetit Teknik do të rivlerësojnë në vijim masat anti-COVID.

Në 24 orët e fundit në vend është rritur numri i infektimeve me COVID-19, por u ul i fataliteteve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë u regjistruan 279 raste të reja dhe 2 humbje jete. Në spitale po marrin trajtim 73 pacientë, nga të cilët 13 në gjendje më të rënduar.

Në një tjetër zhvillim, nga data 1 mars, udhëtarët që shkojnë drejt Italisë nuk do të jetë e nevojshme të karantinohen. Mjafton vetëm pasaporta COVID me dy doza, për të hyrë në territorin e vendit fqinj. Ndërkaq, për ata që nuk janë të vaksinuar, mjafton një test PCR negativ. Edhe Britania e Madhe do t’iu japë fund të gjitha kufizimeve në luftën kundër pandemisë, nga data 1 prill.