Aktualitet

Qendra e masazheve përdorej për prostitucion në Tiranë, arrestohet një 24-vjeçare!

Në Tiranë, zbulohet një qendër masazhesh e regjistruar ligjërisht si e tillë, por aty ushtrohej prostitucion. Një 24-vjeçare në pranga, si dhe u shpall në kërkim administratori, 36-vjeç. E reja u arrestua në flagrancë në kuadër të operacionit policor të koduar “Spa 19”, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për tre punonjëse të moshave 30 e 33-vjeçe, banuese në kryeqytet. Qendra ku ato dhe e arrestuara ishin punësuar gjendet në rrugën Bardhyl.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mbi 51 mijë lekë e 150 euro, para’ të dyshuara si të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.  Materialet në ngarkim i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi zyrtar i policisë:  

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Spa 19”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetases:

K.I., 24 vjeçe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A. K., 33 vjeçe, E.L., 33 vjeçe dhe E.O., 30 vjeçe, punonjëse në këtë qendër masazhesh, të gjitha banuese në Tiranë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi O. Rr., 36 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi O. Rr. administronte një qendër masazhesh, në Rrugën Bardhyl, në të cilën ishin të punësuara 24-vjeçarja e arrestuar dhe tre shtetaset e tjera. Përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, në këtë subjekt ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 51 500 lekë të rinj dhe 150 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, bashkë me tre celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.