Aktualitet

Qeveria 28 miliard lekë për përballimin e rritjes së çmimeve/Opozita kërkon pezullim pagesash për PPP-të!

Në Komisionin e Ekonomisë ku prezantoi ndryshimet në Buxhetin e vitit 2022, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj theksoi se i janë përgjigjur me masa konkrete situatës anormale nga kriza energjetike e pasojat e luftës në Ukrainë.

Sa i takon impaktit në ekonominë tonë, pra impaktit të goditjes nga kahu i ofertës, manifestuar kryesisht në rritjen e çmimeve të produkteve të energjisë, disa produkteve bazë ushqimore dhe disa produkteve të tjera, patjetër që pritet të ketë një impakt relativisht të dukshëm edhe për ekonominë tonë. Megjithatë, në skenarin me probabilitetin më të lartë të ndodhjes, ky impakt do të jetë i përmbajtur dhe i përkohshëm.

Në këtë skenar parashikohet që inflacioni i përgjithshëm mesatar për vitin 2022, në tërësi të jetë rreth nivelit 4.5%, ku pritet të kulmojë në tremujorin e dytë dhe fillimit të tremujorit të tretë. Ndërkohë, nga viti 2023 e në vijim parashikohet që inflacioni mesatar vjetor do jetë rreth targetit të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Kjo rritje e përkohshme e inflacionit përgjatë këtij viti do të ketë një efekt frenues të fuqisë blerëse e rrjedhimisht pritet të ketë një efekt ngadalësues të kërkesës agregate të brendshme, krahasimisht me projeksionet fillestare. Kërkesa agregate e brendshme më e ngadalësuar për këtë vit, por po ashtu edhe një kërkesë e huaj më e ngadalësuar, veçanësisht nga vendet e Europës, pritet të rezultojë në një rritje ekonomike më të ulët nga ajo e parashikuar prej 4.2% fillimisht. Objektivat e rritjes së qëndrueshme priten të rikthehen rreth nivelit prej 4% nga viti 2023 e në vijim, sipas parashikimeve fillestare.

Duke u ndalur në treguesit e rishikuar të buxhetit, ministrja u shpreh se ato vijnë si përgjigje ndaj situatës së veçantë të krijuar nga kriza energjitike dhe ajo e çmimeve të karburanteve e mallrave të konsumit të gjerë.

Ky rishikim i buxhetit 2022 ka si synim kryesor akordimin e mbështetjes buxhetore për shtesën për sektorin e energjisë, në 20 miliard lekë duke çuar këtë shumë në 28 milliard lekë për vitin 2022 si dhe financimin e një pakete ndihme për konsumatorët, për të përballuar pasojat e rritjes së çmimeve të konsumit, e quajtur Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës, me kosto 6 miliard lekë. Ndërkohë, shpenzimet buxhetore janë shkurtuar në masën 16 miliard lekë, nga të cilat rreth 6 miliard në shpenzimet korente dhe rreth 10 miliard në shpenzimet kapitale.  Këtu janë prekur shpenzimet jo prioritare, shpenzimet administrative dhe shpenzime të vlerësuara që mund të shtyhen në vitet në vijim.

Paketa gjithëpërfshirëse financiare e ashtuquajtur e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës është në masën 6 miliard lekë, e cila do të përdoret për zbutjen e efekteve të krizës aktuale, në mbështetje të shtresave në nevojë, rreth 5 miliard lekë, sektorit të transportit publik, rreth 0.5 miliard lekë dhe sektorit të bujqësisë, rreth 0.5 miliard lekë

Përfitojnë shtresat me vulnerable të shoqërisë si; pensionistet më të ardhura të ulëta, pensionistet e vetmuar, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, familjet në ndihmë ekonomike etj. Gjithashtu kjo paketë ndihmon sektorin e transportit publik dhe atë të mekanikës në bujqësi, për shkak të rritjes së çmimit të naftës në nivele tepër të larta e të papërballueshme.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku deklaroi sot në Komisionin e Ekonomisë se “qeveria duhet të pezullojë pagesat për PPP-të”. Gjatë diskutimeve për Aktin Normativ, Tabaku u shpreh se “Akti Normativ duket i cunguar sidomos në një situatë kur gjasat janë që kriza të përkeqësohet”. Gjithashtu ngriti shqetësimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike pa një vendim të duhur.

Unë kam fatura të bizneseve që paguajnë më shtrenjtë dhe çmimi nuk është rritur me një vendim të institucioneve përkatëse. Si mund të ndodhë kjo? Ju pretendoni që nuk keni rritur çmimin por e vërteta qenka ndryshe!

Nuk e kuptoj përse qeveria shqiptare nuk pezullon pagesat për PPP-të në një kohë krize meqenëse jemi në një periudhë dhe në një moment kohor ku kemi një situatë luftë dhe krize. Pra kemi kushtet që buxheti duhet të fokusohet pikërisht tek qytetarët.