Aktualitet

Rama në Gjirokastër: Kapërceni gardhin, votoni PS-në!

Në një takim me banorë të Gjirokastrës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 14 Majit, kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi kryeministri i vendit, Edi Rama, kërkoi votën për PS-në. Rama vuri në dukje se “kjo është e vetmja mënyrë që të majtë dhe të djathtët të ecin përpara”.

Më tej vuri në dukje se ka ardhur koha e “kapërcimit të gardhit edhe për ata që nuk janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër”. Po ashtu, solli në vëmendje se po bëjnë një fushatë ndryshe, me më pak shpenzime.

Eshtë koha e një kapërcimi të gardhit edhe për ata që janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër të gardhit, në emër të ndarjeve ideologjike PS-PD.  Po bëjmë një fushatë krejt ndryshe nga të tjerët, me shumë më pak shpenzime për propagandën elektorale e një pjesë e shpenzimeve shkojnë për të mbjellë pemë.

Për Ramën, qeverisja e kaluar i ka lënë në harresë qytetarët e këtij vendi ndaj i bën thirrje qytetarëve mos t’i votojnë më, për të marrë drejtimin e bashkisë.

Sot jemi këtu sepse ka një akses të ri. Më në fund, bypass-i i qytetit është realitet dhe bashkë me parkingun nëntokësor në sheshin e Çerçizit janë dy vepra të reja që do ta lehtësojnë tërësisht zonën historike nga makinat e do ta bëjnë shumë më të jetueshme e tërheqëse Gjirokastrën për këmbësorët, duke rritur më shumë vlerën e pronës dhe atraksionin turistik të saj.

Do të doja që për një moment të ktheni sytë mbrapa dhe të shihni nga sa larg e kemi nisur punën e sa rëndë ishte Gjirokastra kur morëm detyrën. Çfarë braktisje dhe përbuzje pati për këtë qytet në vitet e qeverisjes së atyre që nuk duhet të kenë më asnjë shans jo këtu, por askund në Shqipëri!

Kryesocialisti vlerësoi se “Gjirokastra e Rilindur sot është transformuar në kartëvizitën më prestigjioze të Shqipërisë Turistike”. Më pas u ndal në Libohovë.

Gjithçka ishte e zymtë në këtë vend e realisht pyeta veten që si ka mundësi që ka akoma njerëz në Libohovë që vazhdojnë të rrinë në këtë lloj kurthi ku ishte gjëja më e natyrshme të dilje ndërsa të rrije ishte gjëja më e pabesueshme. Libohova ishte një nga pikat ku ndërhyrjet tona do të sillnin jetë e shpresë e ardhmëri dhe siç ka ndodhur në shumë vende do të sillnin farat e para të agroturizmit. Që të vazhdojmë këtë punë, libohovitët duhet të na japin mundësi.