Aktualitet

Finalja e konkursit “EXPO Albania”, Rama: T’i japim Shqipërisë një qendër të re!

“Expo Albania” është qendra multifunksionale e Tiranës moderne të së ardhmes dhe projekti për të, sot mbërriti në fazën finale të konkurrimit. Pesë skuadra prestigjoze në botën e arkitekturës bashkëkohore, të përzgjedhura mes rreth 60 konkurentëve nga e gjithë bota do të prezantojnë koncept-idetë e tyre.

Vlerësohet se një infrastrukturë moderne ekspozimi, kryeqytetit shqiptar i jep mundësinë të jetë lider në rajon edhe në evenimentet ndërkombëtare të industrisë, organizimit të panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme, duke krijuar një ofertë të re për Shqipërinë e 2030-ës.

Në fazën finale kaluan dy studio të arkitektëve amerikanë Steven Hall e Jeanne Gang, ajo gjermane Kuehn Malvezzi, skuadra belge e Office KGDV dhe studioja italiane e Stefano Boerit. Në nisje të konkurrimit, kryeministri Rama përshëndeti të pranishmit e theksoi se në rrugën e transformimit të vendit, kontributi i arkitektëve është i jashtëzakonshëm.

Ky projekt është i rëndësishëm në rrugën e transformimit të vendit dhe në një fazë të re zhvillimi ku ka hyrë vendi ynë, që ndër të tjera lidhet edhe me kontributin e arkitekturës në këtë transformim e me praninë e një rrethi të gjerë arkitektësh me prestigj ndërkombëtar, të cilët shtohen dita ditës, në funksion të jetësimit të një ardhmeje që arkitektura ndihmon ta shohim më pranë dhe ta parashohim përmes shprehjeve e shfaqjeve të saj.

Ky është një tjetër projekt ambicioz, që sjell një tjetër kontribut në një nivel tjetër zhvillimin ku arkitektura ka një rol për të luajtur dhe ku ne kemi bindjen se kontributi i arkitektëve është i jashtëzakonshëm. Gjithkush mund ta parashikojë të ardhmen në mënyrën e tij dhe përmes formave dhe shfaqjeve të ndryshme të arkitekturës.

Kjo finale e konkursit ka për qëllim përzgjedhjen e projektit më të mirë sepse jam i bindur që të gjitha projektet e këtyre studiove janë shumë të mira.

Ky është një moment shumë i mirëseardhur për të ngritur këtë qendër ekspozimi ku mund të ndodhin ato organizime që mund të zhvillohen në këtë lloj hapësire. Vjen në momentin e duhur se disa vite më parë do të ishte shumë e parakohshme të investoje masivisht në këtë lloj infrastrukture, por tani kjo është një nga shumë gjërat që Shqipëria ka nevojë në mënyrë që të ecë përpara e të rrisë stekën e ambicies së saj.

Falënderoj kryetaren e jurisë Bendetta Tagliabue, një emër i mirënjohur në botën e arkitekturës dhe një tjetër anëtare e grupit në rritje të arkitektëve që kanë dëshirën dhe janë të përfshirë në këtë aventurë të madhe të shfrytëzimit të potencialit të arkitekturës për të transformuar një vend të tërë.

“Expo Albania” do të jetë një destinacion për organizimin e panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme.