Aktualitet

Raporti i KLSH, 10 kallëzime në SPAK!

Në auditimin e 195 institucioneve shtetërore gjatë 2023-it, Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH, zbuloi 72.3 miliardë lekë dëm ekonomik e përdorim të fondeve pa efektivitet. Shuma është dyfish më e ulët se një vit më parë, por sipas KLSH-së, kjo varet nga institucionet që kontrollohen.

Shkeljet që KLSH-ja gjen në institucione ndahen në tre zëra. Efektet negative në buxhet ku ky zë është në shumën e 64.9 miliardë lekëve ka një ulje 30%, nga një vit më parë. Të ardhura të munguara në buxhet për shkak të neglizhencës së tatimeve dhe doganave në vlerën e 2.3 miliard lekëve ku ky zë është ulur me gati 10 herë në krahasim me një vit më parë.

Dhe zëri më i rëndësishëm është ai i dëmit ekonomik, për të cilin shumë zyrtarë mbajnë edhe përgjegjësi penale. Janë gjetur 5.1 miliardë lek dëm në buxhet, gati pesëfish më shumë se një vit më parë. Këtë rritje në vlerën e dëmit ekonomik e ka sjellë auditi në shoqërinë AlbPetrol, ku 90% e dëmit ekonomik në total është shkaktuar nga kjo kompani publike.

Përveç auditeve, KLSH-ja shprehet se ka kallëzuar në SPAK 10 zyrtarë për shpërdorim detyre dhe shkeljen e barazisë në tendera. Gjithashtu, 24 materiale auditimi iu janë adresuar prokurorive pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm për çështje të ndryshme hetimore.

Gjatë këtij viti, KLSH-ja është ndalur dhe te auditimi i kontratave koncesionare në Shëndetësi. Në të Hemodializës ka zbuluar se janë kryer rreth 1 milion euro pagesa për shërbime të pakryera, ndërsa te Laboratorët, gjeti se “tavani i vendosur nga koncesionari për kryerjen e analizave ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe i ka detyruar të shpenzojnë para te privatët”. Dy koncesionet e lidhura me Klodian Allajbeun e Spitalit Amerikan janë lënë jashtë komisionit hetimor në Kuvend.

Nga auditimet e kryera në 49 njësi të vetëqeverisjes vendore ka rezultuar se në vështirësi financiare janë 7 bashki: Dimal, Rrogozhinë, Peqin, Belsh,Vorë, Dibër dhe Kavajë ku ka stok të madh detyrimesh të prapambetura.

Ndërkohë, duke u ndalur dhe te skema e pensioneve, institucioni kontrollues më i lartë i shteti evidentoi se raporti kontribues/përfitues u përkeqësua vitin e kaluar me 1.7%, pasi pensionistët u rritën me ritme më të shpejta se punonjësit./Top Channel