Aktualitet Rajoni

Rëndohet bilanci i ngjarjes tragjike në Gllogjan/ Drejtori i Policisë së Kosovës tregon pistat ku po hetohet.

Është rënduar bilanci i sulmit me armë ndaj një autobusi që po transportonte nxënës drejt fshatit Gllogjan, ku humbën jetën Gentiana Mustafaj 17-vjeçare dhe Ledion  Hamzai  18-vjeçar së bashku me shoferin. Ndërkohë sipas informacioneve bëhet me dije se ka ndërruar jetë edhe fatorino i autobusit.

Kryetari i fshatit Gllogjan, Mustafë Selmani thotë se dy nxënës dhe shoferi i autobusit që u sulmua mbrëmë janë vrarë. Ai thotë se fëmijët kanë treguar se një person i maskuar ka sulmuar autobusin me kallashnikov.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti deklaroi se po hetohen 2-3 pista në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku mbrëmë u sulmua me armë një autobus që transportonte nxënës shkolle.

Mehmeti tha për mediat se ka dyshime që të ketë qenë i person i vetëm, i maskuar, që ka hapur zjarr ndaj autobusit, e për pasojë shoferi dhe dy nxënës vdiqën.

Hetimet janë në intensitetin më të madh të mundshëm. Të gjitha njësitet relevante janë këtu duke kryer hetimet. Janë dy apo tri pista të dyshimeve. S’mund të jepen detaje, sepse pistat që po punojmë janë në fazën fillestare. Jemi në dy ose tri drejtime të caktuara. Kemi dyshime me bazë të caktuar, por është herët të themi se kemi person të dyshimtë, ka thënë Mehmeti nga Gllogjani.