Aktualitet

Në Prishtinë mbërritën 13 shqiptarët e riatdhesuar nga Siria/Operacionet vazhdojnë!

Finalizimi i operacionit të katërt për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga kampet e luftës në Siri, katër gra dhe nëntë të mitur të moshave 6-16 vjeç, sot mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. Me qytetarët nga Shqipëria ishin dhe të tjerë nga Kosova, që u larguan nga kampet e ferrit. Mes atyre që i pritën ishin ministrat e Brendshëm, Bledi Çuçi e Xhelal Sveçla, si dhe drejtuesit e policive, Gledis Nano e Samedin Mehmeti.

Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë e me mbështetjen e partnerëve amerikanë. Kjo edhe përmes koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Tiranë e Prishtinë. Ministri Çuçi theksoi se do të vijojë puna për riatdhesimin e grave dhe fëmijëve të tjerë të mbetur ende në Siri, bazuar në listat e hartuara më herët nga zyrtarët libanezë: Gjeneral Major, Abbas Ibrahim e po ashtu këshilltari ynë diplomatik në Liban, Marc Ghorayeb.

Ky është operacioni i katërt që zhvillojmë. Gjithsej bëhen 43 gra dhe fëmijë që tashmë do të jenë në gjirin e familjeve. Falënderoj partnerët tanë strategjikë që na mundësuan këtë operacion, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët organizuam në mënyrë perfekte çdo detaj të këtij operacioni.

Dua të siguroj që mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe çdo shqiptar që ka mbetur aty, çdo fëmijë e çdo grua. Kemi statistika të sakta të bëra nga tre operacionet e para, që gjithashtu i kemi me partnerë shumë të rëndësishëm të rajonit atje, me partnerët tanë libanezë të koordinimit të shkëlqyer, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në Liban, Marc Ghorayeb. Me të gjitha këto lista të cilat do t’i përditësojmë akoma më tepër do të bëjmë të mundur të kthejmë çdo shqiptar të mbetur në këto kampe.