Aktualitet

Rënia e euros, grupet e interesit letër Sejkos e Ibrahimajt: Mos e lejoni!

Në një letër drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, grupet e interesit iu kërkojnë të marrin masa për të frenuar rënien e euros që po këmbehet me 111.03 lekë. Ata vënë në dukje se po preken bizneset duke ndikuar direkt te konsumatorët dhe te rënia e mundësive për punësim. Në letër paralajmërohet se rënia e fortë e euros po çon shumë biznese drejt falimentimit e rrezikohet rikthimi i ekonomisë së viteve ‘90.

Fenomeni nuk mund të lihet në ‘rënie të lirë’ me arsyetimin se çdo gjë e përcakton tregu. Nëse vërtetë mendohet se duke ulur koston e importeve me pasojë uljen e eksporteve është një zhvillim pozitiv ekonomik dhe tregues i një ekonomie të fortë’, atëherë po rrezikohet kthimi mbrapa në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e ‘terapisë shock’!

Asnjë ulje të çmimeve të produkteve të importit nuk kanë përfituar konsumatorët shqiptarë. Nga zhvlerësimi i monedhës kanë përfituar vetëm individë importues të veçantë dhe ekskluzivë. Ky zhvlerësim i monedhës euro ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendas duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit. Pasojat negative për tregun vendas do të jenë afatgjata dhe do të jetë e pamundur të kompensohen me disa efekte pozitive të përkohshme.

Kërkesat e grupeve të interesit drejuar Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë:

-Analizë e detajuar mbi situatën dhe impaktin që sjell fenomeni në ekonomi

-Hetim dhe transparencë për faktorët natyralë dhe jo natyralë që ndikojnë

-Komunikim i plotë dhe i gjerë nga Banka e Shqipërisë me publikun dhe grupet e interesit

-Vendimmarrje nga organet që mund të normalizojnë situatën

Letra u dërgua nga Shoqata Proeskport, Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri, Albanian Food Industry, Agrobiznesi Shqiptar, Shoqata Shqiptare e Turizmit.