Aktualitet Politikë

Zhvillimet në Kuvend, nga votimi ministrave te debatet Berisha-Spiropali!

Sot në seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë votoi shkarkimin e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj duke emëruar në vend të saj Ervin Meten. Po ashtu u votua emërimi i Delina Ibrahimajt si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Delina Ibrahimaj u shkarkua me 105 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa si ministre u mbështet me 73 vota. Ndërkaq, Ervin Mete mori 74 vota pro.

Nga opozita, deputeti demokrat Gazment Bardhi tha se maxhoranca votoi një dekret antikushtetues të presidentit Bajram Begaj. Referuar Metes, i cili ishte në krye të AMF-së, Bardhi deklaroi se në kundërshtim me Kushtetutën, Begaj dekretoi ministër një zyrtar publik që nuk mund të emërohej sepse ushtronte një tjetër funksion publik. Deputetja demokrate, Ina Zhupa paralajmëroi se dekretin e presidentit do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Në një tjetër zhvillim, para nisjes së seancës plenare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se do të votojnë pro rritjes së pagave në sistemin gjyqësor. Ndërkaq, në sallë, Sali Berisha u përfshi në një debat me ministren Elisa Spiropali, së cilës i tha se “vuan nga ajo që Frojdi e ka quajtur zilia falike te vajzat”.

Do t’i them dy fjalë kësaj Elisës: ke përdorur një term jo shumë të fisshëm.  Por, unë nuk do merrem më këtë, ti kërkon të biesh në vulgaritet, por unë nuk bie. Unë jam mjek dhe Zigmund Frojd ka gjetur se zhvillimi i njerëzve kalon në pesë faza. Faza e tretë është stadi falik. Shumica e kalojnë si një stad të pranuar. Disa mbeten aty dhe disa kanë kompleksin e Edipit. Ky kompleksi i stadit të tretë u ndodh edhe vajzave. Problemi është se Frojdi e quan këtë, zilia falike te vajzat.

Spiropali e quajti Berishën si të katandisur keq e më keq dhe shtoi se “merret me qira nga më të pasurit në vend”.

Doktor, sot kush të mori me qira? Të hedhin edhe ndonjë kockë. Një gjysh që duhej të ishte i mbyllur në shtëpi me turp. Je i tkurrur, je i mpakur, je i pamundur! Këto biseda do të bësh se të tjera nuk bën. Ti paguhesh nga pasanikët më të mëdhenj të Shqipërisë, je ai që vë gjoba. Ata që të përdorin në oborrin tënd edhe në gardhin përreth do të të lënë ashtu siç je. Ti sot vazhdon të mbijetosh i mjerë. Më vjen keq për katandisjen tënde! Je monument i gjallë i turpit!