Bota

Rumani, dy ministra japin dorëheqjen pas skandalit të abuzimeve në azile!

Në Rumani, dy ministra u detyruan të japin dorëheqjen pas akuzave për keqtrajtim të rëndë të të moshuarve në një azil pranë kryeqytetit Bukuresht. Për të shuar valën e fortë të zemërimit në opinionin publik, ministrja e Familjes, Gabriela Firea dorëzoi dorëheqjen me kërkesë të kryeministrit Marcel Ciolacu.

Firea njoftoi largimin e saj me një postim në Facebook, pasi Ciolacu bindi dhe ministrin e Punës, Marius-Constantin Budai që po ashtu të jepte dorëheqjen një ditë më parë, për të njëjtin skandal.

Kryeministri dhe dy ministrat e shkarkuar janë anëtarë të Partisë Socialdemokrate (PSD).

Ministrja e Familjes u vu në qendër të akuzave të forta, pasi ka qenë një punonjës i saj menaxheri i kompleksit të azileve në periferi të Bukureshtit, Voluntari. Tani ai është arrestuar. Por, jo vetëm kaq dhe sipas atyre që shkruajnë mediat rumune, “bashkëshorti i Fireas, i cili është kryetar i bashkisë së Voluntarit, ka mbuluar menaxherin e azileve”. Friea mohoi çdo akuzë e nuk është objektiv i hetimit penal.

Prokuroria Publike ka mbi një javë që po heton këtë çështje, që ka marrë përmasat e një skandali. Ndryshe nga Ministria e Punës, dikasteri i Familjes nuk kishte një rol mbikëqyrës mbi azilet.

Gjatë një kontrolli, 98 banorë u dërguan në spitale, disa prej tyre me plagë të hapura. Zbulimet e bëra janë shokuese:

Të moshuarit në azile trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore, në mungesë dinjiteti. Ata detyroheshin të punonin pa pagesë e nuk kishin marrë ushqimin dhe mjekimin që u takonte.

Ndërkaq, ekspertët e mjekësisë ligjore po shqyrtojnë nëse janë rrahur e nëse u janë dhënë doza të tepërta qetësuesish. Për shkak të plakjes së popullsisë në Rumani, biznesi i azileve po lulëzon në këtë vend.

Mësohet se dhjetëra azile funksionojnë pa leje, referuar inspektimeve të urdhëruara nga qeveria në të gjithë shtetin, në përgjigje të skandalit në Voluntari.