Aktualitet

Sali Berisha fushatë në Fushë Arrëz e Pukë: Më 14 Maj të votojmë fitoren!

Ndërsa nga Malësia e Madhe, Rama mbronte investimet infrastrukturore, Berisha e sulmonte nga Fushë Arrëzi ku prezantoi kandidatin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Hilë Curri. Aty akuzoi kandidatin socialist, Fran Tuci se ka llogari të hapura me drejtësinë.  Berisha nuk kurseu ministret që në fushatë shfaqen në krah të Edi Ramës. Ndërsa përsëriti ftesën për debat me Ramën, më pas, u zhvendos në Pukë për të kërkuar votën për Rrok Dedën.

E gjithë filozofia e Rrokut dhe e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” bazohet në përparësinë me qytetarin. Bazohet në respekt të të drejtave të tij dhe iniciativës së lirë. Premtoi ulje taksash, premtoi aktivitet pa taksa për tre vite për të rinj, për vajzat, për gratë. Premtoi investime jo në oborrin e bashkisë, por investime në çdo fshat, në çdo skaj të këtij rrethi.

Premtoi që pasuritë përrallore të Pukës të shndërrohen në mirësi për qytetarët, komunitetin. Puka ka potenciale të jashtëzakonshme. Pukën, Zoti e ka bërë një nga rrethet më të pasura mbi tokë, nën tokë, por mbi të gjitha shpirti punëtor dhe krijues i pukjanëve është një garanci e jashtëzakonshme për një të ardhme tjetër.

Në datën 14 Maj, Rrok Doda vjen para jush si kandidati juaj, si kandidati i votës tuaj të lirë. Por, për shkak të mbështetjes tuaj, të besimit që i keni dhënë, Rrok Deda ka fituar mbështetjen e 24 partive politike, të të gjithë spektrit opozitar shqiptar.

Kjo frymë që përcjellin qytetarët është një detyrim madhor për ne. Eshtë një detyrim që më 14 Maj të votojmë fitoren dhe më 15, të festojmë fitoren e pluralizmit, të festojmë fitoren e ndryshimit, festojmë largimin një minutë e më parë nga pushteti të një njeriu, i cili e ka trajtuar veriun e Shqipërisë me një armiqësi të jashtëzakonshme, të cilën e kanë njohur vetëm dy herë në histori; në kohën e Car Dushanit dhe të xhelatit Enver Hoxha e nuk e kanë njohur kurrë më parë, siç ka bërë Edi Rama.