Aktualitet

Gjyqi i Berishës në Londër, ja çfarë thanë avokatët/Mister kush paguan faturën e mbrojtjes!

Në të tretën ditë të përballjes së paprecedentë në gjykatën londineze të Sali Berishës me qeverinë britanike, avokatët e ish-kryeministrit kanë paraqitur argumentet kundërshtues për shpalljen e tij, “person non grata” në Britaninë e Madhe.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu mëson se Fergus Randolph KC, përfaqësuesi ligjor i Sali Berishës i tha SIAC ((Komisionit Special i Apeleve të Emigracionit) se me vendimin e saj, ish-sekretarja e Shtetit Priti Patel ka shkelur ligjin dhe se akuzat që çuan në shpalljen e ish-kryeministrit shqiptar “non grata”, janë serioze e haptazi jo të vërteta.

Më tej, Fergus Randolph KC, përfaqësuesi ligjor i Berishës u shpreh para gjyqtarëve të SIAC, se sekretarja e shtetit dështoi që të marrë në konsideratë faktin se Berisha nuk është në pushtet prej 10 vitesh dhe nuk ka se si të jetë i prirur  të forcojë apo të ketë lidhje me krimin e organizuar.

Një tjetër argument i paraqitur prej mbrojtjes është se kryeministri Edi Rama e paralajmëroi në parlament shpalljen “non grata” të Berishës  nga Britania e Madhe, përpara se Priti Patel të shpallte vendimin. Kjo përballje, e para e këtij lloji mes një ish-kryeministri dhe një qeverie perëndimore, ka një kosto financiare,  aq më tepër që ekipi mbrojtës i Berishës është ndër më të mirët në  Britaninë e Madhe.

Por, a është Berisha apo dikush tjetër që paguan shpenzimet e kësaj beteje gjyqësore në Londër?

Për këtë, Top Channel pyeti kompaninë avokatore Zaiwalla & Co dhe është në pritje të një përgjigjeje. Por, avokatë në Londër me të cilët është konsultuar Top Channel, pohojnë se juristë të kalibrit të Fergus Randolph KC, i cili po përfaqëson Sali Berishën në këtë proces, paguhen mbi 950 stërlina, plus TVSH për një orë punë, pra rreth mbi 1 milion lekë për një orë pune.

Ndërkohë, nëse marrim në konsideratë reputacionin dhe çështjet e trajtuara në të shkuarën, një avokat i kompanisë Zaiwalla & Co  tarifon deri në 650 stërlina për një orë pune./Top Channel