Bota

Samiti i Spanjës, fokusi te emigracioni, zgjerimi e gjeopolitika e BE-së!

Sot në ditën e dytë të samitit në Granada të Spanjës, liderët e vendeve të  Bashkimit Europian do të takohen për të diskutuar mbi çështjet më sfiduese për bllokun e që lidhen me emigracionin, zgjerimin dhe gjeopolitikën.

Muajt e fundit është vënë re një rritje e numrit të emigrantëve që synojnë shtetet e Bashkimit Europian. Por, pavarësisht përparimit të arritur në negociatat për një reformë, emigracioni mbetet një temë që po shkakton ndasi të thella brenda bllokut europian.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritet të bisedojë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Shefja e qeverisë së Italisë është shprehur e habitur me ndihmën financiare që Gjermania jep për organizatat civile që shpëtojnë emigrantët në zonën e Mesdheut.

Mbetet të shihet nëse liderët e BE-së do të arrijnë të bien dakord lidhur me një deklaratë të përbashkët për emigracionin, pas përpjekjes së fundit të dështuar në muajin qershor.

Një tjetër temë në rendin e ditës është zgjerimi dhe idetë e ndryshme për reforma potenciale, në mënyrë që blloku të mbetet operacional nëse BE-së i shtohen më shumë vende.

Pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë aplikuar për anëtarësim në Union, duke e rritur në 10 numrin e vendeve që synojnë bllokun europian.

Liderët e BE-së pritet të diskutojnë edhe për prioritetet strategjike të bllokut për të ardhmen, përfshirë kapacitetet në mbrojtje, sigurinë energjetike, si dhe përgjigjen kolektive ndaj krizës klimatike e pavarësinë ekonomike të 27 vendeve anëtare.

Burimet diplomatike në BE kanë thënë se në samitin e 6 tetorit do të flitet edhe për situatën në Kosovë dhe tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Të njëjtat burime kanë thënë se ekziston një presion nga shumë vende anëtare që të vendosen masa ndaj Serbisë.

Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Si pasojë e tyre është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi hedh poshtë këtë pretendim.