Rajoni

Serbia “provokon sërish”, rrit me 11 milionë euro buxhetin për Kosovën!

Ligjvënësit serbë i dhanë dritën jeshile ligjit për buxhetin e vitit 2024, i cili parashikohet të jetë rreth 17.5 miliardë euro.

Nga ky buxhet, për vitin e ardhshëm, qeveria serbe ka planifikuar të ndajë rreth 11 milionë euro më shumë për Kosovën nga sa kishte alokuar për 2023-shin. Paratë shtesë do të shkojnë për mirëfunksionimin e  institucioneve dhe organizatave, zyrën e qeverise dhe informimin e serbëve në Kosovë.

Ndarjet buxhetore të Beogradit për Kosovën kanë ardhur duke u rritur prej disa kohësh tashmë. Ekspertët paralajmërojnë se këto investime kanë qenë jotransparente me vite të tëra dhe se është pothuajse e pamundur të përcaktohet shpenzimi total për Kosovën.

Serbia ndan para për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe në mbështetje të klerikëve dhe murgjërve atje. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore.

Dragan Popovic nga organizata joqeveritare e Beogradit, Qendra për Politikë Praktike thotë se shumë nga këto shpenzime të fshehura kanë të bëjnë me punën e kompanive publike nga Kosova, të cilat janë zhvendosur në Serbi që nga lufta e vitit 1999. Një pikë e veçantë në buxhet i referohet mbështetjes për “përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës serbe dhe joshqiptare”. Dhe, për këtë qëllim janë planifikuar më shumë para në buxhet krahasuar me vitin 2022, rreth 4.7 milionë euro.