Aktualitet

Sfilonte në Gjykatën Elbasan, hetim disiplinor për gjyqtaren Kapedani!

Nis hetimi disiplinor për gjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pasi në rrjetet sociale qarkulluan video të saj në TikTok duke sfiluar në mjediset e gjykatës nën tingujt e këngës “Mafia, Mafia”.

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten Enkeleda Kapedani, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin!

Po çfarë thotë pika “Ç” e Kodit të Etikës?

Për rastin e Kapedanit nuk mungoi as reagimi i Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ndërsa uron që të merret masa e duhur, Gjonaj kërkon të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e gjyqtares.

Prej nëntorit 2019 i kam kërkuar me shkrim Këshillit të Lartë Gjyqësor verifikimin dhe marrje mase për të, pas lirimit të një subjekti kriminal. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Veting-un dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda! Reforma nuk do ndalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund.

Vetë gjyqtarja Kapedani shprehu keqardhje për pamjet e publikuara.

Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin. Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate.

As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nënë. Ndërsa kërkoj ndjesë për këdo që është ndjer keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot!