Aktualitet

Iu vu tritol në banesë, sot KLGJ-ja vendos për mbrojtjen e gjyqtarit Sterkaj!

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ mblidhet sot që të marrë një vendim në lidhje me mbrojtjen e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj, të cilit dje herët në mëngjes iu vendos tritol në banesën e tij, në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por u shkaktuan dëme materiale. Përveçse nga KLGJ-ja, ngjarja u dënua dhe nga ministrat e Drejtësisë e të Brendshëm, Ulsi Manja dhe Taulant Balla, të cilët kërkuan të zbulohen autorët e aktit të rëndë, si dhe të dalin para drejtësisë.

Këshilli Lartë Gjyqësor i shprehu mbështetjen të gjithë gjyqtarëve, për të garantuar sigurinë e tyre, që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.

Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

Policia e Shkodrës ka në fokus pistën e hetimit për shkak të detyrës. Në dëshminë e dhënë, gjyqtari Sterkaj tha se ishte me bashkëshorten në banesë kur dëgjoi shpërthimin. Gjyqtari u shpreh se doli në ballkon, por pa e ditur se tritoli ishte vendosur pikërisht në derën e shtëpisë së tij. Këtë e kuptoi pasi u njoftua nga një fqinje.

Për dy vite, Tonin Sterkaj ka punuar edhe në Apelin e Shkodrës para se të rikthehej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm po Shkodër.