Aktualitet

Tritoli në banesën e gjyqtarit Sterkaj, reagon KLGJ-ja!

Këshilli Lartë Gjyqësor, KLGJ reagoi lidhur me sulmin ndaj gjyqtarit Tonin Sterkaj në Shkodër, të cilit sot iu vendos eksploziv në banesë, fatmirësisht pa të lënduar.  KLGJ dënon aktin kriminal dhe i kërkon autoriteteve zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të autorëve. Ndërkaq i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve, për të garantuar sigurinë e tyre, që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.

Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

Policia e Shkodrës ka në fokus pistën e hetimit për shkak të detyrës. Në dëshminë e dhënë, Sterkaj tha se ishte me bashkëshorten në banesë kur dëgjoi shpërthimin. Gjyqtari u shpreh se doli në ballkon, por pa e ditur se tritoli ishte vendosur në derën e shtëpisë së tij, në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior. Këtë e kuptoi pasi u njoftua nga një fqinje.

Për dy vite, Sterkaj ka punuar edhe Apelin e Shkodrës para se të rikthehej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm po Shkodër.

Me një reagim doli edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Mësohet se Balla pati një bisedë telefonike me Sterkajn, duke e siguruar për marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë së tij. Gjithashtu, nesër në KLGJ mblidhet Komisioni i Posaçëm për Mbrojtjen e gjyqtarëve ku pritet të marrë pjesë dhe ministri i Brendshëm.