Aktualitet

Shfuqizimi i arrestit në shtëpi/ Avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha ankimojnë masën e sigurisë!

Njëri nga avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesi tha për Top Channel se ka ankimuar vendimin e gjyqtares Irena Gjoka ndaj Sali Berishës. Ankimimi i dorëzuar në Apel, kërkon shfuqizimin e vendimit që nga detyrim paraqitje, dërgoi në datë 30 dhjetor, nën arrest shtëpiak ish-funksionarin e dyshuar për korrupsion pasiv.

Avokati Mëngjesi i tha Top Channel se mbrojtja argumenton dy pika kryesore, së pari nuk ekzistojnë kushtet për ta rënduar këtë masë dhe së dyti se gjyqtarja Irena Gjoka gjendet në konflikt interesi, e për këtë shkak duhet shfuqizuar vendimi i saj.

SPAK kërkoi gjatë dhjetorit arrest shtëpiak ndaj Berishës mbasi nuk u paraqit në tre raste para oficeres së policisë gjyqësore.

Ky refuzim i ish-kryeministrit u konsiderua nga SPAK si mosbindje ndaj gjykatës dhe për këtë arsye ju drejtua Këshillit të Mandateve. Vendimi i gjykatës u ekzekutua nga Policia e Shtetit, e cila e mbikëqyr periodikisht, ndërsa ish-kryeministri ka detyrimin të mos komunikojë me askënd veç familjes./TCH