Aktualitet

Shi i rrëmbyer në vend, trafik i rënduar/Ja rrugët me rritje të nivelit të ujit!

Reshje intensive në vend, moti i keq ka bërë që në disa zona urbane e në të tjera akse rrugore kombëtare, të konstatohet rritje e nivelit të ujit. Për rrjedhojë, kjo sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Policia Rrugore informon se zonat më problematike janë si më poshtë:

• Lezha, rrugët urbane dhe interurbane lidhëse me zonat e tjera.

• Fushe Kruja në zonën urbane dhe rrugët lidhëse interurbane.

• Tirana, në rrugët urbane e ato interurbane. Ka vështirësi qarkullimi dhe trafik shumë të rënduar për shkak të reshjeve.

• Durrësi, rrugët urbane dhe interurbane lidhëse me Tiranën dhe pjesën tjetër jugore.

• Elbasani, zona urbane dhe rrugët interurbane lidhëse.

Shërbimet e policisë rrugore janë në terren duke patrulluar për të parandaluar aksidentet rrugore dhe bllokimet e rrugëve si pasojë e reshjeve të shiut që ende janë intensive. Uniformat blu kanë edhe një apel për drejtuesit e mjeteve:

Apelojmë për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në zonat problematike!

Moti i keq pezullon lundrimin e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit në Gjirin e Vlorës e jashtë tij. Por, tragetet nuk preken. Në njoftim thuhet se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike pritet nesër, nga ora 18:00.

Për sot, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me alternime vranësirash e me reshje shiu me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit, si dhe lokalisht deri të lartë. Temperaturat variojnë 6-23 gradë celcius.

Moti i keq po gjunjëzon Italinë. Veçanërisht kritike, situata është në Toscana ku kanë humbur jetën pesë persona dhe një rezulton i zhdukur. Presidenti Giani shpalli gjendjen e jashtëzakonshme e së shpejti, pritet të deklarohet ajo e fatkeqësisë kombëtare.  Në disa lumenj, niveli i ujit po bie, por jo Arno.

Në Veneto një person u shpall i zhdukur. Eshtë fjala për një zjarrfikës, i cili nuk ishte në shërbim kur po ndihmonte babain e tij të rregullonte disa thasë me rërë përgjatë bregut të një përroi. Ai ra në ujë në Belluno. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se po ndjek me shqetësim ecurinë e ngjarjeve katastrofike që veçanërisht kanë goditur Toscanan dhe shprehu ngushëllime për viktimat.