Aktualitet

Shiste kokainë në doza, pranga 30-vjeçarit në Gjirokastër!

Në Gjirokastër finalizohet operacioni policor i koduar “Tuneli”, për goditjen e një rasti të shitjes në doza të drogave të forta. Një 30-vjeçar i kapur në flagrancë u arrestua nga uniformat blu, që po ashtu i sekuestruan 35 mijë lekë e 80 euro, para’ të përfituara nga shitja e lëndës narkotike e llojit kokainë, si dhe një automjet e dy celularë.

Njoftimi zyrtar:

Në vijim të operacioneve me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të shitjes në doza të drogave të forta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tuneli”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi F. G., 30 vjeç, banues në Gjirokastër.

Gjatë kontrollit fizik të kryer ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë të ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.

Sasia e lëndës e dyshuar narkotike kokainë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 35 000 lekë të rinj dhe 80 euro, të dyshuar të përfituar nga shitja e dozave të kokainës, një automjet dhe 2 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.