Aktualitet

Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Sauk, tre të plagosur!

Tre pjesëtarë të një familjeje kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në zonën e Saukut. Policia e Tiranës tha se ngjarja ndodhi rreth mesdite në banesën e tyre. Të lënduarit janë të moshave 19, 46 e 70-vjeç.  Ata u dërguan në spital me djegie e po mbahen nën vëzhgimin e mjekëve. Pas shpërthimit, në banesë ra zjarr.  Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë: 

Më datë 28.04.2024, në Sauk, në banesën e shtetasit A.D., dyshohet se ka plasur bombula e gazit dhe ka rënë zjarr. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit  A.D., 46 vjeç,  B.D., 19 vjeç dhe L.D., 70 vjeçe, të cilët ndodhen në spital në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Bombolat e gazit po gjejnë përdorim në çdo familje apo biznes, si për gatim po ashtu dhe për ngrohje. Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial ka treguar se që të jemi sa më të sigurt, duhet që bombolat të kolaudohen çdo 5 vite.

Referuar këshillave të ekspertëve, gjëja e parë që duhet patur kujdes është të shihet nëse ka rrjedhje gazi. Psh, në rastin e një byrektoreje duhet të kontrollohet mos ka erë apo rrjedhje e nëse po, të gjendet burimi e të mbyllet bombola.  Por, cilat janë disa nga rregullat teknikë që duhen zbatuar gjatë përdorimit të një bombole gazi në shtëpi apo biznes?

Ka një rregull teknik për të përcaktuar saktë për volumin apo ambientin në të cilin vendoset bombola e gazit. Në një ambient të mbyllur që ka një volum 10 metër kub, nuk lejohet të vendoset asnjë bombol. Në një ambient që është nga 10 deri në 20 metër kub, lejohet të mbahet një bombol 15 kg, ndërsa mbi 20 metër kub, mund që të mbahen dy bombola 30 kg.

Kur në vitin 2016 diskutohej ligji i ri për bombolat e gazit, thuhej se rregullat teknike për instalimin e pajisjeve të gazit funksionojnë në bazë të një rregulloreje që nuk zbatohet nga operatorët ekonomikë dhe do të plotësohej boshllëku ligjor i krijuar. Ngrihej shqetësimi se rregullorja për kushtet teknike nuk zbatoheshin. Ligji synonte që nga pikëpamja e rregullave teknike dhe standardeve të mos kishte hapësira për të ndodhur ngjarje aksidentale.