Rajoni

Kosovë e veriut, shpërthim në Zveçan/Dyshohet granatë dore!

Në Zherovnicë të Zveçanit ka ndodhur një shpërthim në orët e para të ditës. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zv.drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore, e cila është hedhur në oborrin e një shtëpie. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të vogla materiale, por nuk raportohet për njerëz të lënduar. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marr me rastin.

Radio Evropa e Lirë mëson se është shtëpia e D.M nga Zherovnica, i cili në muajin dhjetor 2023, u akuzua si “tradhtar” dhe fotografia e tij është publikuar së bashku me 12 serbë të tjerë në Telegram, me mesazhin “se janë mbeturinat më të mëdha të shoqërisë”. D.M është distributor i produkteve në veri të Kosovës i një kompanie me qendër në Pejë.

Në të kaluarën, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe e lu gjendet edhe Zveçani ka pasur incidente me mjete shpërthyese e raste zjarrvëniesh, si edhe dëmtim të pronës. Më së shumbi, objektiv i këtyre incidenteve kanë qenë serbët që kanë regjistruar makinat e tyre me targat e Kosovës, por edhe serbët që punojnë në institucionet e Kosovës.

Në një tjetër zhvillim, më herët presidentja Vjosa Osmani tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi “shovinist”. Osmani i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë për këtë çështje.

Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia. Kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, përsëriti se ende nuk ka ndonjë arsyetim nga Serbia se pse pesë zyrtarët policorë po mbahen në Rashkë.

Ky është një sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të vet komunitetit serb brenda Policisë së Kosovës, të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet për vendin tonë.