Lifestyle

Si të kujdeseni për celularin tuaj gjatë muajve përvëlues të verës!

Me ardhjen e verës temperaturat rriten dhe siç e dini duhet të merrni masa për t’u mbrojtur nga dielli. Gjatë verës edhe celulari juaj “vuan” dhe mund të pësojë dëmtime nëse nuk kujdeseni siç duhet. Nxehtësia nga rrezet e diellit mund të dëmtojë cirkuitet e tij të brendshme dhe mund t’i shkurtojë jetën baterisë. Me kalimin e kohës, ekspozimi i gjatë ndaj nxehtësisë mund të shkatërrojë edhe ekranin. Mbajeni celularin larg pajisjeve të tjera elektronike. Mos e lini sipër laptopit apo tabletit, pasi rrisni mundësinë që të mbinxehet.

Mos e lini ndezur gjithë kohën. Kur nuk po e përdorni, fikeni fare. Kur e mbani ndezur, në cirkuitet e tij qarkullon elektricitet i panevojshëm. Kur e fikni, ai nuk do të mbinxehet. Hiqni kasën. Në ditët e nxehta, kasa mban nxehtësinë si të ishte triko. Mbrojeni nga rrezatimi direkt i diellit. Mbajeni gjithmonë në vende me hije, për të ulur sa më shumë nxehtësinë që merr nga ajri.

Ulni ndriçimin e ekranit. Nëse ndjeni se ekrani është nxehur, kjo do të thotë se njësia qendrore e tij (CPU) po mbinxehet. Provoni të ulni ndriçimin e ekranit që ta qetësoni paksa njësinë qendrore. Përditësoni sistemin operativ dhe aplikacionet. Kur aplikacionet i keni të përditësuara me versionin e fundit, ato shpenzojnë më pak energji nga celulari juaj, duke mos e nxehur shumë.

Fshini aplikacionet që nuk përdorni më. Disa aplikacione mund të vazhdojnë të punojnë në “prapaskenë”, duke stërmunduar njësinë qendrore dhe duke bërë që celulari të mbinxehet edhe kur nuk e keni në përdorim. Heqja e aplikacioneve që nuk përdorni më do e lehtësojë punën e celularit, duke i ulur edhe temperaturën. Përdorni karikues të padëmtuar. Një karikues i blerë lirë ose një i mirë, por i konsumuar tashmë, mund të mbinxehë celularin tuaj.

Gjithmonë kontrolloni nëse karikuesi juaj ka pësuar ndonjë dëmtim në kabëll. Mos e përdorni celularin kur është në karikim. Procesi i karikimit në vetvete e nxeh celularin, kështu që nëse edhe e përdorni gjatë këtij procesi, do të mbinxehet dhe mund të shkaktojë defekte. Mos e fusni në frigorifer për ta freskuar. Ndryshimi i papritur i temperaturës dëmton materialet e celularit. Mos e fusni nën ujë. Edhe nëse është rezistent ndaj ujit, mos e freskoni celularin duke e mbajtur nën ujë.