Aktualitet Sociale

Skema e re e pensioneve/Po diskutohet ulja e kontributeve dhe e viteve të punës!

Qeveria shqiptare, Banka Botërore dhe grupet e interesit po diskutojnë ndryshime në reformën e pensioneve, që do të jenë gati deri në fund të vitit. Burimet nga entet që po punojnë për reformat, pohuan se këto ndryshime përfshijnë uljen e viteve me kontribute për pension të plotë dhe pension minimal, uljen e masës së kontributit, ndryshimin e indeksimit duke favorizuar pensionet e ulëta, krijimin e skemave private për profesionistët, etj.

Në një intervistë për “Monitor”, Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së BB në Shqipëri, tha se propozimet finale do të jenë këtë vit dhe mbështeten në katër kritere kryesore.

Në vitin e 10-të të zbatimit të saj, skema e pensioneve paraqet nevojën për ndryshme themelore si rrjedhojë e zhvillimeve demografike ku popullsia kontribuuese po pakësohet më shumë se parashikimet dhe numri i përfituesve po rritet.

Qeveria, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë analizuar disa opsione, të cilat do të jenë gati këtë vit. Nëpërmjet tyre synohet të korrigjohen defektet që dolën nga zbatimi i reformës së vitit 2014, në të njëjtën kohë, duke garantuar edhe qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të skemës e të ardhurat e pensionistëve.

Ndryshimet që po diskutohen pritet të marrin në konsideratë uljen e viteve me kontribute për pension. Në kushtet e konfidencialitetit, burime nga entet publike të përfshira në diskutimet për Reformën e Pensioneve, pohuan për “Monitor” disa nga opsionet që po diskutohen. Ndër to ka propozime për uljen e masës së kontributit.

Në diskutim është edhe forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë edhe rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare. Reforma synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension. Në diskutim është rritja e pensionit social me shkallën e varfërisë relative.

Gjithashtu, ndryshimet do të marrin në konsideratë zhvillimin e skemave private, duke ofruar stimuj për profesionistët dhe të vetëpunësuarit. Edhe skema e pensioneve rurale është pjesë e rishikimit si në drejtim të kontributeve e përfitimeve, pasi pjesa më e madhe e pensionistëve të varfër janë aktualisht në zonat rurale.

Reforma për të cilën u punua një dekadë e nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, në themel pati rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri më 2032-shin e rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032 dhe për të arritur 67 vjeç për të dy sekset më 2056-ën.

Tjetër risi ishte rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017. Teksa vitet e punës për pension u rritën me reformën e vitit 2014, shumica e pensionistëve jo vetëm që nuk plotësojë kriteret për pension të plotë, por vit pas viti ata që dalin në pension kanë më pak vite pune me kontribute dhe marrin pagesa më të ulëta se pensioni mesatar.

Më 2014-ën kishte 460,736 pensione pleqërie dhe 28% e tyre morën pagesa të pjesshme ndërsa vitin e kaluar, gati 50% e totalit të pensioneve të pleqësisë ishin të pjesshme. Shumica e pensionistëve po përfundojnë me pagesa mujore afër pensionit minimal e atij social.

Personat që dolën në pension vitin e kaluar, morën pagesë mesatare rreth 15,569 lekë, vlerë kjo 15% më e ulët se pensioni mesatar për të gjithë pensionistët. Ekspertët që po punojnë për reformën pohuan se pritet të ketë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social që tani janë në nivele të njëjta./Monitor