Aktualitet

Stuhi dëbore në Shishtavec të Kukësit, bora arrin deri në 1 metër!

Në Shishtavec të Kukësit, gjithçka është mbuluar nga bardhësia e borës. E rënë në formën e stuhisë, arrin në trashësinë deri në 60 cm. Prej orësh, borëpastrueset vijojnë me pastrimin e rrugëve. Drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentin Kukës-Shishtavec.

Reshje të dendura dëbore në disa akse të verilindjes e juglindjes, në ato kombëtare, nuk ka probleme në qarkullim. Autoriteti Rrugor raporton se kanë përfshirë rrugët Bilisht-Kapshticë, Qafë Qarri-Ersekë, Zëmblak-Dogana Goricë, Pukë-Fushë Arrëz, Qafë Mali-Kukës, si edhe Dardhën, Voskopojën e Valbonën. Temperaturat ranë në vlera negative, deri në minus 3 gradë celcius. Mjetet borëpastruese punuan për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.

ARRSH-ja iu bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe me zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore. Po ashtu duhet të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Për sot, vendi ynë do të jetë nën dominimin e motit të ftohtë me alternime vranësirash e me intervale kthjellimesh. Vranësirat pasohen me reshje të dobëta shiu në Ultësirën Perëndimore, si edhe me dëborë në relievet malore, në lartësitë mbi 800 metër në verilindje e juglindje. Temperaturat variojnë minus 1-12 gradë celcius.