Bota

Suedia avancon drejt kërkesës për t’iu bashkuar NATO-s!

Anëtarësimi i Suedisë në NATO do të kishte efekt stabilizues, nga i cili përfitojnë të gjitha shtetet e Detit Baltik. Kështu deklaroi sot ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde, pasi Finlanda fqinje tregoi përkushtim për t’iu bashkuar Aleancës.

Anëtarësimi i Suedisë në NATO do të forconte portën ndaj konflikteve ushtarake e do të kishte efekt në parandalimin e konfliktit në veri të Europës.

Pushtimi rus në Ukrainë ka shtyrë Suedinë dhe Finlandën të rivlerësojnë qëndrimet e tyre si shtete neutrale që nga koha e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në raportin e prezantuar për sigurinë, u tha se “Suedia do të ishte më e cënueshme nëse mbetet i vetmi vend baltik jashtë NATO-s, ndonëse është përmendur se Rusia mund të hakmerret nëse Stokholmi aplikon për anëtarësim në Aleancë”.

“Nëse Suedia vendos të kërkojë anëtarësim në NATO, ka rrezik për reagimin nga Rusia”, – tha ministri suedez i Mbrojtjes, Peter Hultqvist.
Më lejoni të theksoj se ne jemi të përgatitur për çdo kundërpërgjigje.

Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1 mijë e 340 kilometrash me Rusinë, njoftoi dje qëllimin që të aplikojë për anëtarësim në NATO, “pa vonesa”. Suedia pritet të ndjekë shembullin e Finlandës dhe mund të aplikojë për anëtarësim më 16 maj.

Bashkimi Europian ka planifikuar një tjetër ndihmë ushtarake prej 500 milion eurosh apo 520 milion dollarësh për forcat e armatosura në Ukrainë. Lajmin e njoftoi sot Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell. Njoftimi i Borrell-it erdhi gjatë një takimi në Gjermani të kryediplomatëve të shtatë vendeve më të industrializuara, G7. Në total, ndihma financiare për Ukrainën shkon në dy miliard euro.

Ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss bëri thirrje për dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë.

Eshtë shumë e rëndësishme në këtë kohë që ne të ushtrojmë presion ndaj presidentit rus, Vladimir Putin duke furnizuar me më shumë armë Ukrainën, duke rritur sanksionet.

Uniteti i G7-ës ka qenë jetik gjatë kësaj krize për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë e ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku.

Ukraina ka marrë ndihmë financiare dhe ushtarake nga Perëndimi që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, megjithëse asnjë vend deri më sot nuk ka dërguar trupa ushtarakë në konflikt.