Rajoni

Takimi Kosovë-Serbi në Bruksel, optimizëm për dinarin!

Sot në Bruksel pritet që të zhvillohet takimi i radhës i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç. Në fokus, rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës. Në Prishtinë, njohësit e procesit të dialogut shprehin optimizëm se do të arrihet një zgjidhje për çështjen e dinarit. Ata vlerësojnë se në takimin e tretë Bislimi-Petkoviç do të gjendet kompromisi edhe me insistimin e Bashkimit Europian.

Sipas tyre, pala kosovare duhet që të insistojë në ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e rregullores së BQK-së, ku ndalohet përdorimi i dinarit, por të pajtohet për një zgjidhje tranzicioni ku nuk dëmtohen qytetarët serbë në Kosovë.

Për KosovaPress, politologu Fidan Ukaj tha se “duke parë dinamikën e takimeve të shpeshta në Bruksel, por edhe insistimin e faktorit ndërkombëtar do të arrihet një dakordësi lidhur me çështjen e dinarit”.

Optimist shprehet edhe njohësi i procesit të dialogut, analisti Dorajet Imeri, i cili pret që në takimin e sotëm, palët të arrijnë dakordësi për çështjen e dinarit.

Pavarësisht takimeve në dy javët e fundit, Kosova e Serbia nuk kanë gjetur një dakordësi për çështjen e dinarit.

Pas takimit të javës së kaluar, kryenegociatori Besnik Bislimi u shpreh se propozimet e palëve për çështjen e dinarit, ende janë larg njëra-tjetrës. Sipas tij, pala kosovare ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit përfundimtarë, pa u cënuar në asnjë moment rregullorja e BQK-së, si dhe legjislacioni në fuqi.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell pati paralajmëruar në Bruksel se do të vazhdohet presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë, që të zbatojnë detyrimet e tyre nga marrëveshja e arritur para një viti, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por, zyrtari i lartë europian shprehu keqardhje të thellë që një vit pas arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, niveli i zbatimit të saj nga palët ka qenë shumë më i vogël nga sa ai priste. Borrell iu referua pajtueshmërisë mes Kosovës e Serbisë për aneksin e një marrëveshjeje, për të cilën palët u patën dakorduar në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.