Aktualitet

Të ardhurat u rritën me 11.7% në janar–mars; ndihmat, fitimet e bizneseve dhe pagat “shpëtojnë” buxhetin

Të ardhurat buxhetore shënuan rritje me ritme dyshifrore në tremujorin e parë të vitit 2023, duke arritur një vlerë totale prej 155,6 miliardë lekësh, 11% më shumë se fakti i vitit të kaluar.

Përmirësimi erdhi nga ecuria e mirë e muajit mars, ku të hyrat buxhetore u rritën me 13.2%, pas një performance të dobët në shkurt, e ndikuar nga rënia e të ardhurave nga TVSH-ja.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, për 3-mujorin, rritja është udhëhequr nga disbursimet më të larta të donatorëve në këtë periudhë, të përfaqësuara nga zëri “të ardhura nga ndihmat” dhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin që rezultuan me rritje vjetore përkatësisht 286% dhe 51%.

Arkëtimet buxhetore ruajtën ekuilibrin edhe gjatë muajit mars, kur priteshin vështirësi nga përfundimi i efektit të rritjes së çmimeve.

Në mars të vitit 2022, pasi nisi lufta në Ukrainë, çmimet e mallrave të importit pësuan rritje të ndjeshme, duke ndihmuar qeverinë të mblidhte më shumë të ardhura nga tatimet në përqindje, sidomos TVSH-ja.

Efekti krahasues i çmimeve të larta përfundoi në mars 2023, por të ardhurat vijuan të rriten, tekjsa dhe inflacioni pavarësisht ngadalësimit vijoi rritjen, duke rezultuar 5.3%. gjithsesi, ritmi i rritjes së arkëtimeve nga TVSH ishte i ulët vetëm me 0.6%, duke shënuar një vlerë prej 45,9 miliardë lekësh në janar-mars 2023.

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin po e mbajnë buxhetin, ku arkëtimet shënuan 21 miliardë lekë, me një rritje vjetore 51%, në një vit ku bizneset kishin ankesa për shtrenjtimin e kostove nga lëndët e para dhe rritjen e pagave, që sipas tyre ndikoi tek fitimet.

Ecuria e këtij zëri është ndikuar dhe nga fitimet e sipërmarrjeve në sektorin e energjisë, që u favorizuan nga çmimet e larta për të cilat u vendos tatim i jashtëzakonshëm, (50% të të ardhurave të siguruara nga shitja e energjisë në treg të lirë mbi çmimin 8.5 lekë për kilovatorë).

Rritje shënuan edhe të ardhurat nga akciza me rreth 6%, me një vlerë të arkëtuar 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e volumeve më të larta të zhdoganimeve të mallrave të akcizës.

Rritja e pagave në sektorin privat dhe rritja e pagës minimale në prill 2022 dhe shtator 2022 ka ndihmuar në rritjen të ardhurave në zërat e tatimit mbi pagën dhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore.

Të ardhurat nga TAP shënuan në 13,2 miliardë lekë në tremujorin e parë 2023 me një rritje vjetore 25%.

Ndërsa të ardhurat nga sigurimet shoqërore pësuan rritje vjetore me 16.7% në tremujorin e parë me një vlerë totale 29,1 miliardë lekësh.

Rezultatet fiskale tregojnë se fushata zgjedhore e ka dëmtuar buxhetin në aspektin e të ardhurave. Bashkitë kanë hezituar të grumbullojnë të ardhurat nga taksat lokale.

Arkëtimet nga pushteti vendor shënuan 5 miliardë lekë në tremujorin e tretë me rënie vjetore 34%. Grumbullimet ishin më rënie në të tre zërat e pushtetit lokal, taksa mbi ndërtesat me -3.4%, taksat mbi biznesin e vogël me -51% dhe taksa lokale me 39.5%.

Qeveria shqiptare ka marrë angazhime të mëdha në krahun e shpenzimeve duke prezantuar një plan ambicioz për rritjen e pagave në administratën publike në dy vitet në vijim.

Bashkë me financimin e disa projekteve të mëdha të investimeve në proces rritja e të ardhurave buxhetore është e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin fiskal./monitor