Aktualitet Politikë

Të enjten amnistia penale, Bardhi: Japim votat me dy kushte…

Të enjten mazhoranca do të ndërmarrë përpjekjen e parë për të siguruar votat për kalimin e amnistisë penale që domosdoshmërisht kërkon edhe votat e opozitës. Një ditë më parë, Bledi Çuçi u tha deputetëve socialistë se PS-ja ishte gati të mbështeste propozimet që vinin nga opozita, duke iu referuar në këtë rast amendimeve që ka dorëzuar deputeti Ferdinand Xhaferraj.

Kryetari i grupit të PD, Gazment Bardhi përmes një deklarate për mediat nga kryesia e Kuvendit, tha se opozita do t’i japë votat vetëm nëse atyre u sigurohet kushti për të marrë bashkëdrejtimin në komisionin për reformën zgjedhore dhe e drejta për komisionet hetimore.

“Para se të shkojmë në votimin e ligjeve konsensuale ku Amnistia ka qenë e tillë, Parlamenti duhet t’i rikthehet normalitetit dhe kjo po pengohet nga refuzimi që mazhoranca bën ndaj kërkesave të opozitës. Ne e mbështesim Amnistinë Penale, ka qenë traditë e gjatë kur është votuar në mënyrë konsensuale, por para se të shkojmë në këtë fazë, pra të bëjmë një konsensus të rremë, do duhet t’i rikthehemi shinave të Kushtetutës. Ngritja e komisioneve hetimore është funksion kushtetues i Kuvendit. Bërja funksional i Komisionit të Reformës Zgjedhore është gjithashtu e tillë”, tha Bardhi

Pas vizitës që zhvilloi në SHBA, Gazment Bardhi iu bashkua për herë të parë protestës poshtë ballkonit të Sali Berishës i shpallur ‘non grata’ nga SHBA.

I pyetur nëse e njeh Berishën si kryetar të PD, Bardhi thotë se bashkohen rreth ideve dhe jo individëve

“Ne bashkohemi rreth ideve rreth gjërave që na bëjnë bashkë, që është beteja jonë kundër Ramës dhe nuk bashkohemi rreth individëve. S’ka bashkim rreth individëve konkret, ka bashkim rreth ideve, gjërave që na bëjnë bashkë. Keqpërdorimi që Rama i ka bërë konfliktit të brendshëm në PD dhe opozitë, nuk ka sjellë pasoja vetëm për partinë, por edhe për Shqipërinë”, tha Bardhi.

Sa i takon protestës, ai thotë se do i bashkohet çdo proteste qytetare.

“Unë do ti bashkohem, i jam bashkuar çdo proteste qytetare. Sa i takon vizitës ime në SHBA, e kam bërë të qartë. SHBA janë aleati kyç i Shqipërisë, ka qenë krah nesh në momentet tona më të vështira. SHBA është një aleat kyç edhe për PD. Falenderoj Escobar për mikëpritjen. Kam pasur takime në Kongres dhe Senat. Nuk dua ta ngatërroj vizitën në SHBA me situatën tani. Ata mbështesin Shqipërinë dhe rrugëtimin evropian të saj, dhe jo një parti politike”.

Bardhi tha gjithashtu se, se do të kallëzojnë kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën për shpërdorim detyre pasi nuk ka lejuar deputetët e opozitës që të futen në Kuvend.

“S’mund të përjashtosh deputetë vetëm se mbajnë pankarta në duar. Dje u penguan të gjithë deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë. Kryetarja e Kuvendit sikur të mos kishte ndodhur asgjë nis seancën me gjysmën e sallës bosh duke marrë edhe autoren e kryerjes së asaj vepre penale. Do kallëzojmë Nikollën për shpërdorim detyre dhe kujtdo tjetër që ka shkelur ligjin duke penguar deputetët e opozitës në Kuvend”, tha Bardhi.