Aktualitet

Qëllohet me armë drejt zyrës së PD në Kavajë, plagoset një 25 vjeçar!

Qëllohet me armë zjarri drejt një zyrë elektorale të PD në Kavajë. Si pasojë ka mbetur i plagosur në këmbë shtetasi Bledi Ostuni 25 vjeç.

I riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes ndërsa policia ka mbërritur në vendngjarje. Pas sulmit, kryedemokrati Lulzim Basha e Presidenti Ilir Meta janë nisur  me urgjencë drejt Kavajës.

Personi i shpallur në kërkim është shtetasi Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri, pasi e ka ndërruar mbiemrin. Ky shtetas është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Policia ka dhënë informacionin zyrtar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Kavajë, ndërkohë që vijon krehja e zonës për kapjen e autorit!

“Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti  për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik  dhe  ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.  Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.  Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq me qindra militantë të Partisë Demokratike janë grumbulluar në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë.

Pasi mbërriti në Kavajë Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi:

“Atentat kundër PD dhe Aleancës për Ndryshim nga një kryeministër që e di që humb, një njeri që ka humbur çdo lloj kufiri njerëzor, tregon se këtij regjimi i ka ardhur fundi, kërkojnë të frikësojnë Kavajën dhe PD-AN, kërkojnë të na mbyllin gojën. Nuk na kanë mbyllur gojën kurrë, do të marrin përgjigjen me votë të dielën nga Kavaja. Të tilla akte kanë shënuar akte të mëdha, tregojnë humbjen e toruan nga një grusht njerëzish që e dinë që shqiptarët janë të vendosur që t’i largojnë”, tha Basha.