Bota

Temperaturat e ulëta, ngrijnë kryeqytetin kinez, Pekin!

Moti i ftohtë përfshin Pekinin. Kryeqyteti i Kinës është “mbërthyer” nga temperatura disa gradë nën zero gradë Celcius, vlera që për muajin dhjetor nuk i shënonte që nga viti 1951, pra 72 vjet më parë. I ftohti ka “pushtuar” zonat veriore dhe qendrore të shtetit kinez, duke sjellë stuhi dëbore e temperatura rekord të ulëta.

Që nga data 11 dhjetor, më shumë se 300 orë me ngrica u regjistruan nga një observator i motit në kryqytetin kinez. Kjo është ngrica më e madhe që është regjistruar ndonjëherë në Pekin që kur filluan regjistrimet në vitin 1951, sipas gazetës zyrtare Beijing Daily.

Kryeqyteti kinez kaloi nëntë ditë radhazi me temperatura nën minus dhjetë gradë Celcius, shtoi gazeta.

Pjesë të Kinës veriore dhe qendrore janë prekur nga të ftohtit e acartë këtë muaj, ndërkohë që autoritetet kanë mbyllur shkollat dhe autostradat disa herë për shkak të stuhive të borës.

Në 78 stacione meteorologjike në Kinë, temperaturat arritën nivelet më të ulëta rekord për muajin dhjetor, ndërsa tani që janë ditët e fundit të 2023-shit, në veri e në disa pjesë qendrore të Kinës, vlerat e termometrit kapën nivelet më të ulëta, po rekord të vendosura në vitin 1961, referuar Qendrës Kombëtare Meteorologjike.

Ky vit ka sjellë mot ekstrem në kryeqytetin kinez po të kujtojmë se gjashtë muaj më parë, Pekini regjistroi edhe ditën më të nxehtë të qershorit, pak më shumë se 40 gradë Celcius.

Po në Azi, edhe disa pjesë të Japonisë veriore e Koresë së Jugut po përballen me mot të ftohtë ekstrem, karakterizuar nga reshje të mëdha dëbore e temperatura të ulëta.