Botë e Çuditshme

Torta e dasmës më e kopjuar dhe më e shtrenjta në botë…

Gjashtë kate, një krem i detajuar, një kuti muzikore e fshehur në të dhe mbi të gjitha një surprizë e papritur. Dasma midis Grace Kelly dhe Princit Rainier, e festuar më 19 prill 1956, ndryshoi përgjithmonë mënyrën e organizimit të dasmave. Nga banketi te fustani, deri te lulet, gjithçka ndryshoi pas asaj dite prilli. Torta e dasmës së Grace dhe Princ Ranieri është më e kopjuara në botë. Jo vetëm kaq, pasi ajo ishte edhe më e shtrenjta. Për ta rikrijuar atë tort sot, me gjashtë katet e saj madhështore dhe peshën 225 kg, do të duheshin mbi 10 mijë euro.

Torta u konceptua, si nderim për të sapomartuarit, nga pastiçeri i Hotel de Paris në Montecarlo, i cili ruante njëfarë rezerve për formulën që përdori për mbushjen e saj. Ende sot dihet vetëm se përfshinte marzipan dhe çokollatë të zezë. Vëmendjen e tërhoqi kremi i sheqerit që e mbulonte në çdo pjesë, i përkujdesur dhe i dekoruar deri në detajet më të vogla.

Tre katet e para riprodhuan me detaje Pallatin e Princave, ndërsa të tjerët përshkruanin skena nga historia e principatës. Stema Monegaske dominonte midis katit të katërt dhe të pestë të tortës, të bëra me sheqer të kuq dhe të bardhë, ndërsa në shtresën e sipërme u vendosën dy kupidë dashurie duke u balancuar mbi re akulli, me një kopje të kurorës së Monakos të varur mbi kokat e tyre.

Në këtë kat të fundit, një pajisje muzikore e fshehur luante ritmet e Ave Maria të Schubert dhe Marshimin e Dasmës së Mendelssohn. Në fund, goditja mjeshtërore ishte kur Princi Rainier preu fetën e parë të tortës me shpatën e tij dhe në dy katet e fundit u hap një kafaz i fshehur nga i cili fluturuan dy pëllumba, një simbol i dashurisë dhe besnikërisë.