Bota

Turqi, Moska dhe Kievi sot nënshkruajnë marrëveshjen për grurin!

Çmimi i grurit pritet t’i rikthehet niveleve të kohës së para sulmit rus në Ukrainë, të nisur më 24 shkurt të këtij viti. Ndërsa luftimet vazhdojnë, me ofensivën ruse të përqendruar në lindje të Ukrainës dhe synimet e Moskës për të marrë më shumë territor nga vendi fqinj, në Stamboll të Turqisë u arrit marrëveshja që synon zhbllokimin e eksporteve përmes porteve në Detin e Zi.

Zyrtarët rusë dhe ata ukrainas ranë dakord që të nënshkruajnë një akord të përkrahur nga Kombet e Bashkuara e që mundëson transportin e eksporteve të grurit nga Ukraina. Kjo në kohën kur bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, kryesisht për shkak të luftës.

Për Moskën, dokumentin do ta firmosë ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ndërsa për Kievin, ai Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov. Që të dy mbërritën në Turqi.

Në një postim në Twitter, Mykhaylo Podolyak, këshilltar i lartë i presidencës ukrainase u kujdes të vinte në dukje se “Ukraina nuk do të nënshkruajë marrëveshje me Rusinë, por me OKB-në dhe Turqinë”. Kjo vlen edhe për Rusinë, që të siglojë të njëjtin dokument.

Nuk do të ketë transport të grurit ukrainas me anijet ruse dhe as prani ruse në portet tona. Në rast të ndonjë provokimi, ne do të përgjigjemi menjëherë përmes ushtrisë. Inspektimet e transportit do të kryhen nga ekipe të përbashkëta në ujërat e Turqisë.

Më shumë se 20 milion tonë grurë janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej nga koha kur Rusia nisi agresionin e paprovokuar në Ukrainë, më 24 shkurt. Agjencitë ruse të lajmeve cituan disa burime që pohuan se do të rihapen tri porte ukrainase, duke përfshirë atë më të madhin, të Odesës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën njoftimet për marrëveshje, ndërsa Departamenti i Shtetit deklaroi edhe se do të fokusohet në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse, për zbatimin apo jo të këtij akordi.