Aktualitet

Veliaj në Njësinë 10: Nuk pritëm zgjedhjet për të bërë punën e duhur!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili më 14 Maj garon për një tjetër mandat takoi banorë të Njësisë nr.10 në kryeqytet, i shoqëruar nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj. Parkun Rinia e veçoi si metaforën më të bukur, që sipas Veliajt “tregon si jeton një hapësirë e qytetit kur e qeverisin të majtët, ata që dinë të bëjnë qytet dhe shtet dhe si e qeverisin ata që thonë: “Këtu është çdo gjë falas””. Veliaj iu përgjigj akuzave se bashkia punon vetëm në fushatë:

Nuk pritëm të bënim Parkun “Rinia” sa të vinin zgjedhjet. E bëmë në kohën e duhur që njësia ta shijonte në momentin e duhur. Nuk pritëm për “20 Dhjetorin” që të vinin zgjedhjet, nuk pritëm as për shkollën “Qemal Stafa”, madje ka qenë shkolla e parë ku investuam. Nuk pritëm zgjedhjet për të bërë rrjetin e ujësjellësit në “Rrugën e Durrësit”. Ne nuk pritëm as për “Rrugën e Bogdanëve” sepse besoj që gjithmonë është koha e duhur për të bërë gjënë e duhur dhe punën e duhur për njësinë tonë.

Veliaj tha se Terminali Perëndimor, bashkë me linjën hekurudhore Tiranë-Durrës që do të ketë stacionin kryesor te Kthesa e Kamzës pritet të çlirojnë më tej trafikun.

Më në fund mbaroi terminali lindor te rrethrrotullimi i TEG-ut e sapo kemi filluar punimet për terminalin e autobusëve te “Kthesa e Kamzës”, ku ka ardhur dhe transheja e trenit Tiranë-Durrës 22 minuta e Tiranë-Rinas 12 minuta. Nëse tani është liruar Sheshi “Shqiponja”, nëse tani është liruar edhe “Astiri”, imagjinoni sa do të lirohet kur edhe trafiku që vjen nga rrethet mbaron te “Kthesa e Kamzës” dhe i japim frymëmarrje Tiranës.

Një tjetër projekt i rëndësishëm për çlirimin e trafikut në Tiranë, i Unazës së Madhe është drejt fundit.

Sot jam i vendosur për një gjë, që në mandatin e tretë të mos humbas më 3 vjet të sqaroj projekte si “Astiri”. Ndaj, segmenti nga shkolla “Andrea Stefani”, pra nga “Shqiponja” në Laprakë, Paskuqan, Tufinë e Shkozë dhe pastaj në Farkë e që janë 7 lotet e fundit, kanë filluar të shtata. Të sigurohemi që çlirimi që i bëri Unaza e Madhe në drejtimin lindor, të ndodhë edhe në drejtimin perëndimor e Tirana më në fund të ketë Unazën që shkarkon trafikun dhe nuk do të kesh më nevojë të vish në Sheshin “Skënderbej”, por mund të përdorësh Unazën në secilin drejtim, Lindje-Perëndim, për të shkuar në lagjet e tjera të Tiranës.