Rajoni

Votimi në veriun e Kosovës, DnV: Interesim minimal i qytetarëve për të marrë pjesë!

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), po konstaton se ka një interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Persona me të drejtë vote janë thirrur të votojnë nëse duan apo jo të largojnë kryetarët shqiptarë. Në një postim në Facebook shkruan:

Demokracia në Veprim përmes ekipeve mobile po vëzhgon procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të vendit – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Vëzhguesit tanë kanë vizituar pothuajse të gjitha qendrat e votimit të hapura në këtë pjesë.

Sipas vëzhguesve, të gjitha qendrat e votimit që janë vizituar deri tani, janë hapur me kohë dhe komisonerët kanë qenë të pranishëm. Policia e Kosovës është prezente dhe po garanton sigurinë e procesit. Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit.

Sa i përket administrimit të procesit, KQZ është vonuar me informim për qytetarët lidhur me vendndodhjen e qendrave të votimit, meqë ky vendim është marrë vetëm një ditë para procesit të votimit.

Gjatë vizitave të vëzhguesve nëpër Qendra të Votimit është vërejtur se disa prej tyre nuk mundësojnë qasje për persona me aftësi të kufizuar dhe për persona që janë në moshë të shtyer. Votimi brenda disa Qendrave të Votimit është aranzhuar për disa vendvotime në një hapësirë të përbashkët sipas modelit të hapur.

Po ashtu është vërejtur se në të gjitha vendvotimet ka të vendosura kamera të sigurisë, ndërkohë që kabinat e votimit janë të vendosura në pozicionin që mund t’a cenojnë fshehtësinë e votës dhe mund të shihen si intimidim nga votuesit. instruksionet për vendosjen kabinave të votimit në këtë mënyrë janë përfshirë në udhëzuesit që KQZ ka përgatitur.

Kjo është hera e parë që qytetarët do të votojnë nën survejimin e kamerave. Demokracia në Veprim do t’ju mbajë të informuara gjatë ditës për ecurinë e procesit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit, po i bojkoton votimet në veri. Kryetari Zllatan Ellek u ankua se autoritetet vendosën procedura, sipas tij “të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”. Ellek pretendon se numri i shqiptarëve “është rritur”.