Aktualitet

“Vulosi ditën e fundit në politikë…”/Lulzim Basha reagon pas protestës.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën në darkë ka publikuar disa pamje nga ajo çfarë la pas protesta e sotme e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se kjo ishte një shfaqje e shëmtuar dhune, ku Sali Berisha vulosi ditën e tij të fundit në politikë.

Shumica absolute e demokratëve e braktisi atë dhe kriminelët me të cilët kërkoi të shkatërronte Partinë Demokratike.

Basha theksoi se demokratët sot qëndruan me vendosmëri dhe qytetari në mbrojtje të Shtëpisë së Lirisë, si shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Me qindra përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha sulmuan sot dhe dëmtuan rëndë selinë e Partisë Demokratike.

Protesta e thirrur nga ish-kryeministri Berisha kundër kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, u bë menjëherë e dhunshme, ndërsa policia ndërhyri për të rivendosur sigurinë.Policia e shtetit ndërhyri për të ndërprerë protestën e dhunshme, që zhvilluan për mbi tre orë disa qindra ndjekës të ish kryeministrit Sali Berisha kundër Partisë Demokratike të opozitës, duke shkatërruar selinë qendrore të saj.

Policia bëri të ditur se ndërhyrja e saj u kërkua nga deputetët e opozitës, që ndodheshin brenda ndërtesës, të cilët njoftuan se po u rrezikohej jeta nga goditjet dhe sulmet e vazhdueshme të protestuesve.​ Situata në selinë e Partisë Demokratike u qetësua pasi policia ndërhyri me kërkesë të deputetëve, që ndodheshin brenda saj, të cilët kishin deklaruar se ndjeheshin të kërcënuar nga sulmi i dhunshëm i mbështetësve të ish kryeministrit Sali Berisha.

Forcat e rendit ndërhynë me gaz lotsjellës, duke shpërndarë pjesëmarrësit, morën nën kontroll situatën jashtë dhe brenda selisë së Partisë Demokratike, ndërsa prokuroria e kryeqytetit e rrethoi zonën si një skenë krimi dhe po dokumenton aktet e dhunës, e ndërkohë kanë nisur edhe arrestimet e para të autorëve të dhunës.

Pasi njësitë speciale morën kontrollin e godinës, oborri dhe e gjithë zona përreth u boshatis, veçanërisht pas përdorimit të gazit lotsjellës.