Aktualitet

Zbardhet misteri, identifikohet viktima në Xarrë të Sarandës!

Identifikohet trupi i dekompozuar që u gjet në Xarrë të Sarandës. Viktima quhej Adnant Jaupi, 53 vjeç nga Elbasani, i cili punonte si çoban në jug të vendit. Identifikimi u krye nga mjekësia-ligjore, pas hetimit nga policia e Sarandës. 53 vjeçari kishte rreth 2 apo 3 muaj që rezultonte i zhdukur e familjarë të tij ishin interesuar duke bërë denoncim.

Dyshohet se Jaupi ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale, pasi gjatë hetimeve, nuk u konstatuan shenja goditjeje me mjete të forta apo plumbi.

Dje në njoftimin zyrtar të policisë, thuhej:

Mbrëmjen e djeshme (14 nëntor), në fshatin Xarrë, pranë varrezave të fshatit, janë gjetur mbetje kockore humane, në proces dekompozimi. Mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon punën për identifikimin e shtetasit/es, të cilit/es i përkasin këto mbetje kockore si dhe zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Para identifikimit të viktimës, pati dyshime se mund të ishte Fatmir Sulovari apo Leonard Thodhori, të cilët rezultojnë të zhdukur prej 7 prillit të këtij viti.