Bota

Zgjerimi i NATO-s, Turqia ende jo e bindur nga Suedia: Strehon terroristët kurdë!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përsëriti thirrjen për Turqinë dhe Hungarinë, që të lejojnë Finlandën e Suedinë t’i bashkohen aleancës ushtarake perëndimore. Nga Helsinki ku foli në një konferencë shtypi me kryeministren finlandeze, Sanna Marin, Stoltenberg u shpreh:

Tani është koha për të ratifikuar dhe mirëpritur plotësisht Finlandën e Suedinë si anëtare.  Eshtë bërë përparim me Turqinë dhe një takim i përfaqësuesve nga Ankaraja, Stokholmi e Helsinki do të zhvillohet në Bruksel javën e ardhshme.

Dy vendet nordike aplikuan për t’u bashkuar me aleancën e mbrojtjes në maj, pas pushtimit rus të Ukrainës. Por, pranimet duhet të ratifikohen nga të gjithë aleatët e Turqia ka bllokuar procesin për disa muaj dhe kërkon ndryshime legjislative mbi akuzat se Suedia i simpatizon e strehon ata që Ankaraja i sheh si terroristë kurdë.

Stoltenberg tha se të dy aspirantët e NATO-s kishin përmbushur kushtet e përcaktuara në një marrëveshje të arritur me Ankaranë verën e kaluar. Marin vuri në dukje se Parlamenti i Hungarisë ende nuk ka miratuar zgjerimin e NATO-s, por Budapesti ka shprehur mbështetjen për pranimin dhe nuk ka paraqitur asnjë kërkesë.

Duke folur për Ukrainën, Stoltenberg nënvizoi se anëtarët e NATO-s ranë dakord që vendi “do të bëhet anëtar i aleancës” në planin afatgjatë, por fokusi aktual ishte në ofrimin e mbështetjes për Kievin në mbrojtje kundër pushtimit të Rusisë.

Suedisë dhe Finlandës, Turqia i rikujtoi premtimet që bënë për anëtarësimin në NATO duke thënë se është e pamundur të miratohet kërkesa e Suedisë, nëse Ankaraja nuk sheh ndërmarrjen e hapave konkrete nga ana e Stokholmit.

Sa i përket anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, qëndrimi i Turqisë është i qartë dhe transparent. Terrorizmi është një nga dy kërcënimet kryesore për NATO-n dhe Turqia pret që dy vendet nordike t’u përgjigjen shqetësimeve të Ankarasë në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Që nga nënshkrimi i memorandumit trepalësh në Samitin e NATO-s në Madrid, në qershor 2022, nuk ka pasur asnjë hap të kënaqshëm të ndërmarrë nga Suedia. Kërkesat e vendeve nordike për anëtarësim në Aleancë mund të vlerësohen ndarasi, pasi Turqia ka një mendim më pozitiv ndaj procesit të Finlandës.