Aktualitet

Zv.kryeministrja Balluku: 2024 shënon dorëzimin e tunelit të Llogarasë!

Zëvendëskryeministrja, njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se tuneli i Llogarasë do të dorëzohet më 30 qershor të këtij viti. Gjatë analizës së punës për vitin e kaluar, si dhe projektet që do të marrin jetë në vitin 2024, Balluku u shpreh:

2024-ta do të shënojë dorëzimin e tunelit të Llogarasë, një tunel që ka qenë një ëndërr në sirtar për shumë qeveri shqiptare, por që u realizua nga qeveria Rama. Puna për ndërtimin e tij ka nisur në nëntor të 2021-shit dhe do të përfundojë në fillim të sezonit veror të 2024-ës.

Ministrja Balluku vuri në dukje se ka qenë një proces i gjatë, por një proces i mirëstudiuar me dy gara ndërkombëtare.

Ka pasur sfidat e tij, por ka qenë gjeologji e qëndrueshme dhe nuk na është dashur të lëvizim nga kalendari i punimeve. Ashtu sikur kemi premtuar, 30 qershor 2024 vepra do të dorëzohet sipas të gjitha parametrave të parashikuara.

Një tjetër lajm të mirë, kemi nisur vitin me një inspektim në aksin Thumanë-Kashar. Eshtë kërkuar edhe nga kompania koncesionare që të vijohet e të dorëzohet sa më parë. Thumanë–Kashar do të futet në funksion gjashtë verës 2024.

Tuneli i Llogarasë, një ndër veprat më të mëdha publike është i pozicionuar në jug-perëndim të vendit, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milion euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit.

Tuneli kryesor do të jetë i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit e tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi e me një sistem të kullimit të urave nëntokësore e atyre sipërfaqësore. Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët.