Politikë

Basha: Drejtësia të hetojë personat e shpallur non grata! Berisha me dy standarde

Si dhe Edi Rama më herët gjatë mbledhjes së kongresit të PS-së, sot Lulzim Basha i kërkoi SPAK-ut që të hetojë Sali Berishën, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Në një deklaratë për mediat para se të futej në Kuvend, Basha tha se drejtësia duhej të kishte vepruar prej kohësh, pasi akuzat e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Berishës, për korrupsion dhe minim të demokracisë, janë shumë të rënda. Për ish kryedemokratin, Berisha është një person me standarde të dyfishta ndaj PD nuk mund të kërkojë sot që Tom Doshi, Aqif Rakipi e Vangjush Dako, të tre të shpallur ‘non grata’, të mos jenë pjesë e politikës.

“Ne po flasim për një krizë artificiale që e ka burim te standardet e dyfishta të një njeri që nga njëra anë vlerëson DASH për raportin kritik për qeverinë dhe shkel çdo fjalë e çdo premtim për të mos e tërhequr zvarrë PD në betejën që ai i ka shpallur SHBA. Kjo na dëmton kredibilitetin. Ne nuk mund të themi që Tom Doshi, Aqif Rakipi, Vangjush Dako duhet të jenë jashtë politikës. Ai duhet të bëjë një hap pas dhe të çlirojë PD. Unë në funksion të kësaj bëra hapin tim dhe sot shqiptarët e kuptojnë se kush është gati për bashkim. Njerëzit duhet ta dinë që një qeveri e përgjegjshme. Institucionet e drejtësisë duhet ta kuptojnë që në këto momente kritike për vendin, është detyra e tyre të veprojnë pa hezitim dhe t’i japin fund kulturës së pandëshkueshmërisë, për t’i shkuar te koka atyre skandaleve të mëdha korruptive siç janë inceneratorët”- tha Basha.

Sa i përket situata në PD, Basha u shpreh se dorëheqja e tij nuk e ka kaluar krizën, pasi nuk i ka shërbyer bashkimit dhe vijon fryma e përçarjes për shkak se Sali Berisha po e mban peng partinë.

“Vazhdon një frymë përçarëse nga një grup njerëzish. Interesa të ngushta personale të Berishës mbajnë peng PD-në. Nuk ka frymë bashkëpunuese në PD-së. Berisha shpall kulak atë kthehet kundër tij. Siç e keni parë se çfarë i bëhet Alibeajt vetëm se mbron interesat e PD dhe interesat e demokratëve. Ju keni parë që DASH konfirmoi ato që ne kemi thënë. Selia është pushtuar në mënyrë të paligjshme po ashtu edhe hapësira e aksionit opozitar. Ne nuk po u flasim dot njerëzve. Televizionet janë të mbushur me Edi Ramën, Sali Berishën e Ilir Metën. Askush nuk flet për hallet e njerëzve. Gjatë kësaj kohe që çmimet janë rritur, të ardhurat e qeverisë janë rritur sepse TVSH është në varësi të çmimeve. Për t’i dhënë fund këtij tranzicioni duhet një ndryshim i thellë, duhen ndryshime kushtetuese”, theksoi ai.