Rajoni

Abazoviç: Jam i bindur se koalicioni ynë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme!

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi sot se nuk ka dilemë që ai dhe partia e tij kanë dhënë kontributin e tyre dhe se duhet të vazhdojnë që me të njëjtën forcë që t’i promovojnë vlerat për të cilat luftojnë.

I pyetur nëse do të jenë pjesë e kabinetit qeverisës, nëse jo si kryeministër ose ndonjë post tjetër, ai tha se është herët të flitet për këtë.

Kryeministri Abazoviç u shpreh i bindur që koalicioni i tyre do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme në Malin e Zi.

“Mendoj se është herët me fol për atë gjë, por jam i bindur se koalicioni jonë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhme. Çka do të nënkuptojë ajo, shohim në javët, të cilat vijnë…Sa i takon komunitetit shqiptar, ai kurrë s’ka qenë ma mirë në Mal të Zi, kurrë s’ka pasë përfaqësim më të madh as në qeveri, as nëpër institucione të ndryshme. Kurrë nuk ka qenë vëmendja sa i takon trevave ku jetojnë shqiptarët dhe ku jetojnë pakicat si në Ulqin, ashtu edhe në vende tjera, në Tuz edhe në veri, ku duhet edhe ma shumë me punu“, tha ai.

Në Mal të Zi sot po mbahen zgjedhjet parlamentare, në të cilat të drejtë vote kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore.

Këto janë zgjedhjet e treta në ciklin zgjedhor brenda 9 muajve në Mal të Zi, në të cilat Partia Demokratike e Socialistave (PDS) hyri pa liderin e saj, Millo Gjukanoviç, i cili pas tri dekadash është tërhequr si lider i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka humbur zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviç

Në zgjedhjet e sotme për të parën herë ka hyrë në garë lëvizja “Evropa Tani”, e cila sipas hulumtimeve ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve. Gjithnjë sipas sondazheve të bëra, e dyta për nga numri i përkrahësve është “Partia Demokratike e Socialistave” (PDS). Lëvizjen “Evropa Tani” e kanë krijuar ish-ministrat e qeverisë së Zdravko Krivokapiç, Millojko Spajiç dhe presidenti aktual, Jakov Millatoviç.

Nga lëvizja “Evropa tani” kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion pas-zgjedhor me Partinë Demokratike të Socialistëve të ish-liderit Millo Gjukanoviç. Por, pas të gjitha ngjarjeve të ditëve të fundit dhe pas aferës me letrën e Do Von, kjo lëvizje ka thënë se nuk dëshiron partneritet pas-zgjedhor me koalicionin e Demokratëve të Aleksa Beçiçit, respektivisht me lëvizjen URA të Dritan Abazoviçit.